Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy u tha anëtarëve të NATO-s të premten se Ukrainës i duhen të paktën shtatë sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot ose sisteme të tjera të nivelit të lartë për t’u mbrojtur nga sulmet ruse, duke i nxitur ata të rrisin ndihmën e tyre ushtarake për Kievin.

Në një fjalim me video gjatë takimit të Këshillit NATO-Ukrainë në Bruksel, udhëheqësi ukrainas e përshkroi nivelin aktual të ndihmës së huaj si “shumë të kufizuar”. Ai iu kujtoi atyre se Izraeli nuk u la i vetëm të mbrojë veten përballë sulmit masiv ajror të Iranit të shtunën.

“(Presidenti rus Vladimir) Putin duhet detyruar të ndalojë sulmet dhe hapësira jonë ajrore duhet të bëhet përsëri i sigurt. Kjo varet plotësisht nga zgjedhja juaj… një zgjedhje që do të tregonte nëse ne jemi vërtet aleatë”, tha Presidenti Zelenskiy në fjalimin e tij.

Rusia ka shtuar intensitetin e sulmeve ajrore të saj me raketa me rreze të gjatë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës dhe qyteteve të saj në javët e fundit. Kjo ka rritur trysninë ndaj Kievit ndërsa forcat më të fuqishme dhe me më shumë pjesëtarë të Moskës po avancojnë ngadalë në fushën e betejës në pjesën lindore të Ukrainës.

Vetëm këtë vit, tha Presidenti Zelenskiy, Ukraina ishte sulmuar nga pothuajse 1,200 raketa ruse, më shumë se 1,500 dronë dhe 8,500 bomba ndërsa përkrahja ushtarake perëndimore është ngadalësuar.

“Ne po e themi këtë drejtpërdrejt, për t’u mbrojtur, na duhen edhe shtatë sisteme “Patriot” ose sisteme të ngjashme të mbrojtjes ajrore. Ky është një numër minimal i asaj që na duhet. Këto sisteme mund të shpëtojnë shumë jetë dhe të ndryshojnë situatën”, tha ai.