NATO ka vënë në gatishmëri të lartë edhe një batalion rezervë për dislokim në Kosovë “në rast se ka nevojë”, shkaku i tensioneve në veri të vendit.

Kjo është bërë e ditur gjatë vizitës së komandantit të Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralit Stuart Munsch, në KFOR.

Ky lajm vjen vetëm një ditë pasi NATO vendosi të dislokojë forca shtesë, pasi 30 ushtarë të misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan.

“Diskutimet e tyre [Admiralit Munsch dhe komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia] përfshinin dislokimin e 700 trupave shtesë nga batalioni rezervë i thirrur në Kosovë nga NATO për të normalizuar situatën dhe për të garantuar sigurinë, si dhe dislokimin e mundshëm të një batalioni tjetër rezervë që është vendosur në gatishmëri të lartë, në rast se nevojiten trupa shtesë”, thuhet në postimin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli në Twitter.

Admirali Munsch u takua edhe me ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe iu bashkua thirrjeve të tyre për “kthim në dialog dhe përfundim të dhunës”.

Më 29 maj, KFOR ndërhyri ndaj protestuesve serbë në Zveçan, pasi ata paraprakisht nuk iu bindën thirrjeve që të shpërndaheshin. Protestuesit u përleshën me trupat e KFOR-it dhe përveç 30 ushtarëve të lënduar, është raportuar edhe për dhjetëra të lënduar nga ana e protestuesve.