Hajdutët vjedhin gjithçka që mund të vidhet; makina, celularë, shtëpi, madje dhe dy lopë.

Në 24 orët e fundit, efektivët e policisë së Durrësit kanë regjistruar 3 raste vjedhjesh dhe një të mbetur në tentativë.

Vjedhja e mbetur në tentativë e një shtëpie në zonën e Plazhit po kryhej nga një adoleshent 16-vjeçar, që ka kaluar për ndjekje penale. Po ashtu, edhe në vjedhjen e një celulari po në zonën e plazhit është identifikuar autori i dyshuar.

Ndërkohë, autorët e vjedhjes së një “Benz”-i në lagjen nr.18 dhe të dy lopëve në Xhafzotaj janë larguar dhe policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Njoftimi i policisë:

  • Më datë 19.05.2018, gjatë natës, në lagjen nr. 18, parkuar pranë banesës, shtetasit N. M., vjeç 39, i kanë vjedhur mjetin tip “Benz”. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Neni 134 i Kodit Penal.
  • Më datë 19.05.2018, gjatë natës, në fshatin Xhafzotaj, në kasollen e bagëtive, shtetasit R.S., vjeç 67, i kanë vjedhur dy lopë. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Neni 134 i Kodit Penal.
  • Më datë 19.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për shtetasin E.D, vjeç 16, banues në Durrës, pasi dyshohet se në lagjen '13 Plazh', ka tentuar të vjedhë banesën e shtetasit E.T., vjeç 33, banues në Durrës. Nenet 134 e 22 të Kodit Penal.
  • Më datë 19.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për shtetasin N.K., vjeç 24, banues në Durrës, pasi dyshohet se në Hekurudha Plazh, i ka vjedhur telefonin celular shtetasit A.T., vjeç 47, banues në Durrës. Neni 134 i Kodit Penal.