Tre persona janë arrestuar nga policia në Tiranë në vijim të luftës kundër drogës, ndërsa janë sekuestruar 63.2 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa.

Në pranga kanë përfunduar shtetasit Përparim Sula, 50 vjeç, banues në Tiranë dhe M. H., 17 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Riza Cuka”, në sheshpushimin e pallateve, gjatë kontrollit të ushtruar u kapën në flagrancë me 56.8 gramë lëndë të dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa.

Është arrestuar gjithashtu shtetasi Hanson Merkohasanaj, 27 vjeç, banues në Tiranë, pasi tek “rrethrrotullimi i Saukut”, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij tip “Benz Mercedes”, iu gjet e bllokua  6.4 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.