Një krim në familje është regjistruar mesditën e djeshme në Durrës, ku 25-vjeçari Hajri Neziri, ka plagosur me thikë dy prindërit e tij.

Pas një debati në familje, djali ka qëlluar me thikë në qafë dhe në pjesë të ndryshme të trupit duke plagosur nënën dhe babanë, Destan dhe Hasie Nezirin, përkatësisht  75 dhe 64 vjeç.

25-vjeçari u prangos pas rreth një ore në Tiranë në spitalin e Traumës, ku ishte shoqëruar nga bashkëjetuesja e tij.

Mësohet se debati mes palëve ka ardhur si shkak i refuzimit të prindërve të Hajriut për bashkëjetuesen e tij. 

“U fejova pa pëlqimin e prindërve. Prej disa ditësh në shtëpi nuk po gjenim qetësi, dhe pikërisht për këtë shkak edhe po debatonim. Edhe të mërkurën në mesditë debatuam dhe bëra një veprim të tillë”, mësohet të ketë thënë autori.

Vëllai i autorit, tregoi në një intervistë për “DurrësLajm”, se Hajri Neziri ka punuar për gati pesë vjet së bashku me të në të njëjtën firmë private. Më pas e la punën dhe gjendej i papunë, e mbahej me paratë e pensionit të prindërve.

Sakaq, gjendja shëndetësore e dy të moshuarve Asie e Destan Nezirit, ka ardhur duke u përmirësuar. 75-vjeçari është shtruar në repartin e kirurgjisë, ndërsa bashkëshortja e tij pritet të dalë sot nga reanimacioni ku gjendet prej 24 orësh.