Nga Osman Metalla

Në morinë e diskutimeve që janë zhvilluar lidhur me marëveshjen e delimitimit të hapësirave detare, këto ditë kam dëgjuar mjaft opinione, nga shumë drejtime, nga specialist, nga njohës të gjësë, por dhe nga individë të cilët mundohen që mendimin e opinionit ta kanalizojnë aty kua ata duan.

Natyrisht në këtë moment që ne po diskutojmë nuk kemi një marëveshje të shkruar, dhe i gjithë debate vazhdon të bazohet në deklarimin që `Ministri Kotzias bëri pak ditë më parë duke thënë se “Pala shqiptare ra dakort që ne të zgjerojmë gjerësinë e detit territorial deri në 12 milje detare”.

Më lejoni të sqaroj se unë nuk i përkas kategorisë që menjëherë marr zjarr dhe them se u shitën dhe 12 milje të tjera det. Nëse nuk do ta kisha informacionin e duhur dhe une do të bashkohesha me zërin e tyre. Por nga ana tjetër ky deklarim nuk është pa pasoja. Në shkrimin tim të para pak ditëve kam thënë se një deklarim i tillë na vendos në pozita të disfavorëshme. Përse një deklarim i tillë nuk është normal?

Së pari, më lejoni të përsëris argumentin qe e kam thënë dhe më parë. Greqia e ka të deklaruar gjerësinë e detit territorial dhe një deklarim i tillë është zyrtar. Arsyet se përse Greqia nuk mund të zgjerojë detin territorial përtej kufirit të 6 miljeve deri në 12 milje aq sa lejon dhe Konventa UNCLOS-82, tashmë janë bërë të qarta.

Së dyti, mbështetur dhe në zëra profesionistësh të cilët kanë argumentuar se Greqia me dy fqinjët e tjerë ka një standart tjetër, pra ka aplikuar gjerësinë prej 6 miljesh të detit territorial, si në raport me Turqinë ashtu dhe në marëveshjen që ka me Italinë.

Së treti, mbështetur dhe në përkufizimin e detit territorial, zgjerimi i gjerësisë së detit territorial të Greqise dhe 6 milje të tjera, do të thotë se territori ujor grek mbi të cilin shteti Grek shtrin sovranitetin e tij zgjerohet dhe me nje brez detar prej 6 milje më shumë. Duhet kuptuar se regjimi juridik në zona të ndryshme është i ndryshëm Në detin territorial, mbështetur në përkufizimin që jep neni 2 i konventës UNCLOS-82 i cili titullohet Statusi ligjor i detit territorial, hapësirës ajrore mbi detin territorial dhe të shtratit dhe nënshtratit të detit, thuhet:

1. Sovraniteti i shtetit bregdetar shtrihet përtej territorit të tij tokësor dhe ujërave të brëndhsme, tek një brez detar i përshkruar si det territorial. 
2. Sovraniteti shtrihet në hapësirën ajrore sikurse në shtratin dhe nënshtratin e detit.
3. Sovraniteti mbi detin territorial ushtrohet në përputhje me këtë Konventë dhe rregullat e ligjeve ndërkombëtare”.

Sikundër vërehet në këtë nen shteti bregdetar nga pikëpamja e të drejtave juridike në këtë territor detar ka të njëjtat të drejta ashtu sikurse dhe në territorin tokësor, pra sovranitet absolut.

Ndërkohë në zonën puqur (Contiguous zone) të drejtat juridike të shtetit bregdetar nuk janë të njëjta. Ajo nuk është një zonë ku shteti ushtron të gjitha të drejtat e tija sovrane, pra nuk është territor grek në rastin tonë. Të drejtat e shtetit bregdetar në këtë zonë spjegohen në nenin 33 të konventës UNCLOS-82 i cili thotë:

1. Në një zonë puqur me detin territorial të përshkruar si zona puqur, shteti mund të ushtrojë të drejtat për të:
a. parandaluar shkeljen e ligjeve doganore, fiskale, të imigracionit apo sanitare si dhe rregullave brënda detit të tij territorial;
b. ndëshkojë shkeljen e ligjeve të sipërcituara si dhe të rregullave të kryera brënda detit të tij territorial.
2. Zona puqur nuk mund të shtrihet përtej 24 mioljeve nga vija bazënga ku matet deti territorial

Sikundër vërehet dhe nga parashikimet e nenit 33 të Konventës, regjimi juridik i detit territorial me regjimin juridik në zonën puqur ndryshon. Ajo që pala Shqiptare ka deklaruar në takimin me palën greke (gjithnjë bazuar në deklarimin e ministrit të jashtëm Grek) dëshmon për vullnetin e panevojshëm të palës shqiptare për të lejuar shtimin e sovranitetit të shtetit grek mbi një hapësirë më të madhe ujore.

Marëveshja e vitit 2009 është kontestuar fuqishëm nga aktorë të asaj kohe lidhur me faljen e detit dhe konkretisht në atë kohë bëhej fjalë për 354 km2 det të “falur” Greqisë. Ndërkohë që sot gjithnjë e më shumë dëgjoj të flitet vetëm për çështjen e shkëmbit Barketa. Së pari më lejoni të sqaroj se si qëndron çështja e shkëmbit Barketa. Ky është një shkëmb i cili ndodhet mbi ujë si në kohë zbatice ashtu dhe në kohë batice. Regjimi i këtyre shkëmbinjve përcatohet në nenin 121 të Konventës UNCLOS-82 i cili shprehimisht thotë:

1. Një ishull është një formacion natyral toke, i rrethuar me ujë, i cili është mbi ujë në kohë batice.
2. Me përjashtim të parashikimeve të paragrafit 3, deti territorial, zona puqur, zona ekonomike ekskluzive dhe shelfi kontinental i një ishulli përcaktohen në përputhje me parashikimet e kësaj konvente të aplikueshme dhe për territoret e tjera tokësore.
3. Shkëmbinjtë të cilat nuk mbështesin jetën njërëzore apo ekonomike në mënyrë të pavarur, nuk do të kenë zonë ekonomike ekskluzive apo shelf kontinental.

Sikurse e përmënda pak më lart, shkëmbi Barketa është një shkëmb i cili është mbi ujë në kohë batice dhe zbatice. Si i tillë ai i përkon kategorisë së përshkruar në paragrafin 3 të nenit 121 të Konventës pra përjashtohen nga ZEE dhe nga shelfi kontinental por jo nga deti teritorial. Nga ana tjetër bie plotësisht dakort me shumë autorë të cilët deklarojnë se ky shkëmb është një tipar gjeografik i cili prodhon një pabarazi të theksuar në vijën mesore të kufirit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë në këtë zonë të kanalit të Korfuzit. Si i tillë mendoj se grupi negociator një gjë të tillë duhet ta ketë në vëmëndje dhe në fakt edhe nga disa deklarime të politikanëve më të lartë ndjehet se nga ana e palës Greke mund të bëhet një lëshim i tillë.

Pyetja që unë shtroj në këtë moment është: Çfar humbet pala Greke nëse pranon që shkëmbi Barketa të jetë pikë mesore e ndarjes së kufirit detar?
Në përgjigje të kësaj pyetje do të thoja se zona në të cilën ndodhet shkëmbi Barketa, është një zonë e cila kryesisht karakterizohet nga një intensitet trafiku të anijeve tregtare, trageteve dhe kroçerave. Ajo është një zonë e cila nga ppikëpamja ekonomike nuk ka asnjë interes për palën Greke.

Çfar fitimi ka pala Shqiptare në këtë rast? Përgjigja ime sërish do të ishte se nga pikëpamja ekonomike, fitimi është i njëjtë me atë të palës Greke. Në këtë zonë është e pamundur të zhvillohet aktivitet ekonomik (peshkim) për shkak të intensitetit të lartë të trafikut detar. Edhe për shtratin e detit dhe nënshtratin e detit nuk mendohet të ketë ndonjë rezerve burimesh të shfrytëzueshme.

Pyetja tjetër është: A është pozitive për Shqipërinë një gjë e tillë? – absolutisht do ta vlerësoja si një arritje positive nëse një gje e tillë do të pranohej. Fakti që vija e kufirit të vjen ngjitur të krijon një ndjesi jo fort pozitive dhe ndjehesh i cënuar, por përpos këtij fakti, pra faktorit psikologjik nëse mund ta quaj të tillë nuk ka asnjë efekt tjetër.

Pyetja tjetër që unë do të shtroja është: Përse në mënyrë të organizuar i gjithë opinion është përqëndruar tek shkëmbi Barketa? Ku janë ato zëra që me të madhe bindën të gjithë opinionin publik se ju “fallen” 354 km2 det Grekut?

Gjatë të gjithë kohës pas nënshkrimit të marëveshjes së vitit 2009 u fol gjatë e gjerë në lidhje me tradhëtine e madhe kombëtare të “faljes/shitjes” se 354km2 det. Çështja e shkembit Barketa ishte një çështje shumë pak e diskutuar në raport me “tradhëtinë e madhe”. Nëse flitet për interesa ekonomike, rezerva peshkore, burime të shtratit dhe nënshtratit të detit, interesat e vëndeve nuk janë aspak në zonën e shkëmbit Barketa por pikërisht aty ku me harta me ngjyra na bindën në vitin 2009 se janë “falur” 354 km2 det.

Ndaj dhe fakti se sot askush nuk po flet më për çështjen e 354 km2 det të falur por të gjithë janë përqëndruar tek fitorja e madhe e mundëshme e shkëmbit Barketa më bën të mendoj se është mirëorganizuar një orkestër e cila po e përgatit opinionin publik të brohorasë fuqishëm “arritjen” e madhe të qeverisë dhe të gjithë po kakarisin mbi këtë shkëmb duke “harruar” me dashje atë që vetë kanë thënë me të madhe: Faljen e 354 km2 det.

Deri në këtë moment asgjë nuk ka ndodhur, nuk ka marëveshje, dhe nuk do të uroja në asnjë rast që të kemi një marëveshje e cila sërish nuk do të ishte e pranueshme për të gjitha palët, dhe ti jepte gjithësejcilit atë që i takon!

Si qytetar i këtij vëndi nuk do të pranoja një marëveshje e cila nuk më kthen mbrapsht 354 km2 det për aq kohë sa më kanë bindur se ja kan falur Grekut. Në të kundërt duhet të më bindin se po bënin shaka me patriotizmin e shqiptarëve!