Fabjan Beqja paralajmëron se Teuta do të ketë sukses këtë sezon. Pas largimeve masive, durrsakët kanë “rinuar” ndjeshëm grupin. Madje, edhe mesfushori mund të konsiderohet si një prej lojtarëve më të vjetër, edhe pse 26 vjeç. Ai ka analizuar ditët përgatitore, por edhe merkaton. Shfaqet optimist dhe prerazi e thotë që mosha e re nuk do të jetë kurrsesi kriter. 

Teuta ka ndryshuar shumë gjatë kësaj merkatoje, çfarë opinioni keni për afrimet e reja? 
Drejtuesit kanë bërë një punë mjaft të mirë, duke afruar lojtarë të talentuar që do ta ndihmojnë shumë ekipin. Edhe pse është një brezi i ri jam i mendimit se kemi për të surprizuar në këtë kampion. Kemi një staf të kualifikuar dhe ne do ta tregojmë veten në fushë. 

Janë larguar disa lojtar të rëndësishëm nga skuadra, sa e vështirë do të jetë për t’i zëvendësuar? 

Gjithmonë është e vështirë të gjesh lojtarë me të njëjtat karakteristika. Kemi humbur disa lojtarë të fortë, por futbolli kështu është, me cikle. Disa ikin, disa vijnë, unë u uroj sukses atyre që ikën si dhe shokëve të rinj të ekipit. Jemi përforcuar me lojtarë shumë të fortë dhe këtë do ta shihni në fushë. 

Jeni një prej lojtarëve më të vjetër te Teuta së bashku me Shkallën, do jetë e vështirë për një ekip me një moshë mesatare kaq të vogël? 

Mosha është një kriter, por nuk besoj se do të ndikojë. Të gjithë janë këtu për një qëllim dhe do të japim maksimumin. Edhe Mbape është 19 vjeç, por bëri diferencën në Botëror, pra me këtë dua të them që ai që ka besim dhe dëshirë, arrin gjithçka. 

A ju josh shiriti i kapitenit?

Kjo nuk është diçka që më takon mua të flas. Sigurisht është një vlerësim për atë që e mban, por edhe një përgjegjësi më shumë. 

Me atë që keni parë deri tani, ku mendoni se skuadra duhet të përforcohet akoma? 
Jemi përforcuar me disa lojtarë të mirë, por mirë do të ishte të kishte nga një afrim për çdo repart në këtë mënyrë do të jemi më kompetitiv, pasi konkurrenca i bën shumë mirë ekipit.