Rebelimi i Lazios pas ndeshjes së fundit, të barazuar në fushën e Cagliarit, është shoqëruar nga polemika e madhe për një penallti jo dhënë në favor të bardhekaltërve. Klubi kryeqytetas e ka shprehur zhgënjimin e tij të madh përmes gojës së drejtorit sportiv, Igli Tare, i intervistuar ekskluzivisht nga “Corriere dello Sport”: 

“Pse ekzistojnë dy interpretime të ndryshme? Ajo ndaj Imobiles nuk është penalltia e zakonshme? Është një penallti e dyfishtë dhe nuk ndodh thuajse asnjëherë në futboll. E prek fillimisht një lojtar i Cagliarit dhe pastaj tjetri. E kanë rrëzuar dy vetë. Nuk e di se si nuk e kanë pare gjyqtarët”.

Nuk ka munguar qëndrimi i Tares edhe për VAR-in, që po funksionon në Seria A: “VAR-i na ka hequr shumë pikë në klasifikim. Unë them minimumi 12 pikë. A të themi 6? Mirë, le të themi se kemi humbur 6 pikë për shkak të interpretimit të gabuar dhe gabimesh të treguara në TV, si goli me dorë i Cutrones gjatë ndeshjes me Milanin. Ju siguroj që pozicioni i Lazios në klasifikim sot do të ishte i ndryshëm. Nuk them me siguri të kualifikuar në Champions, por thuajse. Kështu po shtremërohet gara, po trukohet kampionati”.

Frazat e ashpra të ekzekutivit shqiptar të Lazios nuk kursehen: “Po thosha, dy ose tre muaj më parë, në mes të nëntorit dhe dhjetorit, ne kemi qenë të penalizuar qartë, në katër lojëra, njëra pas tjetrës. Në to Lazio u dëmtua dhe aty kemi humbur distancën tonë nga Napoli dhe Juve. Asokohe, kemi qenë tri pikë larg nga vendi i parë, flisnim edhe për “scudetton”. Më tej e ngadalësuam hapin, tani jemi të katërtit, në vrapim me të tjerët, por ka pasur një handikap. Gara ka qenë e shtrembëruar plotësisht dhe nuk ka besim të mirë”.

E megjithatë, qëllimi “Champions” është ende gjallë te bardhekaltrit: “Ne jemi aktualisht në garë, por nuk guxojmë të japim përqindje. Por, në qoftë se duam të gjithë, nëse vazhdojmë të luftojmë dhe të jemi të përqendruar, unë jam i bindur se Lazio, pavarësisht vështirësive, mund të arrijë një objektiv të merituar. Do të vazhdojmë të ëndërrojmë, sepse cilësia është atje, në skuadër. Në fund, në fund të zemrës sime, mendoj se do të arrijmë ta bëjmë realitet edhe Champions-in”.