Trajneri i Teutës, Gugash Magani, u shpreh se ekipi i tij ishte i shthurur. Peqinasi ka mbetur i zhgënjyer nga paraqitja e dobët e skuadrës, ndërkohë që ka pretendime edhe ndaj gjykimit dhe gjyqtarit Kreshnik Cjapi, edhe pse nga ana tjetër e pranon se penalltia e dhënë në fund ishte tjetër moment mjaft i diskutueshëm.

“Po t’i referohem pjesës së parë, them se nuk kemi qenë fare skuadër në fushë. Ishim krejtësisht të shthurur taktikisht, pa grintë.U ndëshkuam për dy gabime tonat, por kuptohet edhe për meritë të Flamurtarit. Kishim probleme me shpejtësinë e mendimit dhe kjo më shqetëson. Kam pretendime për një penallti në pjesën e parë. Nëse do të jepej, do të kishte tjetër rrjedhë loja.

Kështu e ka futbolli, në lojë ishin të tre rezultatet për këtë ndeshje dhe nuk kam thënë kurrë që do të fitojmë titullin. Nuk po e bëj tragjedi këtë që po them, Flamurtari nuk vodhi asgjë në këtë ndeshje. Në pjesën e goditjeve standarde nuk ishim aty ku duhet, sepse kishim shumë të tilla, por nuk i shfrytëzuam. Mund ta kishim ndëshkuar Flamurtarin në këto raste. Nëse do të jemi aty ku duhet në javën e pestë apo të gjashtë, do të shikojmë një Teutë tjetër.

Në pjesën e parë ishim shumë të plogësht, duke e nënvlerësuar Flamurtarin. Nuk arritëm ta lexonim lojën dhe ky është e rëndësishme”, mbylli prononcimin e tij, trajneri i Teutës, Gugash Magani.