Një katapultim në kufijtë e të pabesueshmes. Ndërsa ndodhet në Turqi në përgatitjet e dimrit, Skënderbeu i gëzohet një lajmi vërtet interesant, një klasifikimi fantastik në renditjen e Institutit të Historisë dhe Statistikave në Futboll për vitin që lamë pas.

Në renditjen e IFFHS, Skënderbeu zë vendin e 47 në botë, për ta bërë konceptin të qartë, ka ngjitur plot 378 pozicione në krahasim me një vit më parë dhe për ta kuptuar akoma më mirë, lë pas në renditje skuadra të nivelit botëror si Olimpiakos, Lazio, Borusia Dortmund, Ajaksi, Schalke, Cverna Zvezda apo Partizani i Beogradit.

Natyrisht që një kapërcim i tillë i dedikohet ecurisë fantastike të kësaj vere në Europa League, ku Skënderbeu, si asnjë skuadër tjetër shqiptare më parë, kaloi plot 4 ture për t’u kualifikuar në fazën e grupeve, si dhe nuk pësoi asnjë humbje në shtëpi në takimet europiane.

Kompeticioni kontinental sjell natyrshëm rritjen më të madhe, edhe pse në renditje përllogariten edhe koefiçientët në kampionatet përkatës por me një marzh ndikimi më të vogël.

Për sa i përket kreut të klasifikimit të vitit 2017 për klubet, në majë qëndron Reali i Madridit, që fitoi Champions League, Superkupën e Europës, La Ligan, dhe Botërorin e klubeve.

Gremio kërcen nga vendi i 34 në të dytin, pas triumfit në Kupën Libertadores, ndërsa Manchester United ngjitet në pod duke zënë vendin e tretë falë triumfit në Europa League.