Shumë pak ekipe kanë nisur përgatitjet dhe momentalisht fokusi është te merkatoja. Skënderbeu është një nga klubet që pritet të ketë revolucion. Disa prej lojtarëve u kanë përfunduar kontratat, ndërkohë që për disa ka oferta të rëndësishme nga jashtë vendit. Sigurisht që presidenti Ardjan Takaj do të marrë në konsideratë ofertat dhe do tentojë të përfitojë në aspektin financiar, sikurse ka bërë edhe në të shkuarën.

Por po mendohet edhe për afrimet në skuadër dhe një lojtar i “piketuar” është Erlis Frashëri. Mbrojtësi i djathtë është në listën e objektivave të Skënderbeut. Për korçarin do të ishte një rikthim në shtëpi. Qëndrimi i tij te Kamza është në dyshim, por nuk janë vetëm bardhekuqtë që e duan.

Por edhe Teuta e Bledi Shkëmbit është e interesuar për shërbimet e Frashërit. Ai mund të luajë në disa pozicione dhe paraqitjet e tij te Kamza në dy sezonet e fundit kanë qenë mjaft të mira.Por Teuta ka edhe një objektiv tjetër për qendrën e mesfushës, që me shumë mundësi do ta mbyllte merkaton për këtë repart, pasi më parë janë afruar Florent Avdyli, Ron Gashi dhe Sherif Kallaku.

Lojtari tjetër që kërkohet është Orges Gava, i cili vjet u aktivizua me skuadrën e Lushnjës. Mesfushori nga Elbasani në të shkuarën ka luajtur edhe me Bylisin e Shkumbinin në elitë. Mesfushori 28-vjeçar e njeh mjaft mirë kampionatin dhe me eksperiencën e tij do i ndihmonte durrsakët sezonin e ardhshëm, që pritet të jetë i ndryshëm për Teutën.