Pas dy javësh, grupi i hakerëve iranianë “Homeland Justice” ka publikuar dokumente të tjera nga skedarët e policisë.

Bëhet fjalë për persona të dyshuar kontigjentë të përfshirë në krime. Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço shkruan përmes një postimi në Facebook se 1.7 giga informacion i sistemit policor është publikuar sot nga hakerat.

“Ajo që kishim dyshime dhe që druheshim ta thonim me plot gojë ndodhi. 1.7 giga informacion kriminal i sistemit policor Memex u publikua sot nga hakersat. Siguria publike është vënë në pikëpyetje të madhe....”-shkruan Karamuço.

Kujtojmë se grupi i hakerave më herët kishte publikuar listën e personave të shpallur në kërkim nga policia e Vlorës dhe Tiranës, të dhënat nga sistemi TIMS për hyrje-daljet e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano si dhe planet për atentate ndaj ish-kreut të PD, Lulzim Basha dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Që prej vitit 2021, autoritetet shqiptare janë përballur me sulme kibernetike. Një sulm kibernetik u shënua më 15 korrik të 2022, i cili bllokoi të gjitha faqet zyrtare shtetërore dhe platformën e shërbimeve online e-Albania.