Një paralajmërim për përdoruesit e WhatsApp vjen nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), pas raportimeve për raste të komprometimit të llogarive në rajon.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të marrin masa për të mbrojtur llogaritë e tyre nga tentativa të
mundshme për marrjen e kontrollit, veçanërisht përmes kodeve të verifikimit dhe lidhjeve të dyshimta.
“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar pas raportimeve të fundit në rajon për raste të komprometimit të llogarive WhatsApp.
Në disa prej rasteve të raportuara, përdoruesit kanë humbur aksesin në llogaritë e tyre, ndërsa autoritetet përkatëse po analizojnë mënyrën e komprometimit.
Për të mbrojtur llogarinë tuaj:
Aktivizoni verifikimin me dy hapa (Two-step verification) te Settings → Account.
Mos ndani me askënd kodet e verifikimit, fjalëkalimet apo të dhënat e llogarisë.
Kontrolloni rregullisht seksionin “Linked Devices” dhe shkëputni menjëherë çdo pajisje që nuk e njihni.
Mos klikoni linqe të dyshimta të dërguara me SMS, WhatsApp apo email, veçanërisht kur ju kërkohet të verifikoni llogarinë.
Nëse merrni një kod ose njoftim për regjistrimin e WhatsApp-it në një pajisje tjetër pa e kërkuar vetë, mos e ndani kodin dhe mos autorizoni kërkesën.
Siguroni edhe adresën e email-it të lidhur me llogarinë, me një fjalëkalim unik dhe autentikim me shumë faktorë.
Nëse humbni aksesin në llogarinë tuaj, përdorni vetëm procedurat dhe kanalet zyrtare të WhatsApp për rikuperimin e saj.
Një kod verifikimi është personal. Edhe kur kërkesa duket sikur vjen nga një person që njihni, verifikojeni përpara se të veproni”, shkruan AKSK./TCH





