Kombëtarja shqiptare do të përballet të martën me San Marinon, në ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve. Sfida do të luhet në transfertë në orën 20:45, ndërsa kuqezinjtë synojnë fitoren përballë përfaqësueses që mban vendin e fundit në renditjen e FIFA-s.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri Rolando Maran dhe kapiteni Berat Gjimshiti theksuan rëndësinë e përqendrimit dhe të qasjes së duhur ndaj një kundërshtari që në letër konsiderohet më i dobët.
Maran nënvizoi se Shqipëria duhet ta marrë me seriozitet përballjen, duke ruajtur përqendrimin, identitetin dhe ekuilibrin taktik. Trajneri italian theksoi gjithashtu rëndësinë e rotacionit dhe menaxhimit të energjive, në një seri prej katër ndeshjesh, ndërsa objektivi mbetet marrja e maksimumit dhe lufta për vendin e parë në grup.
“Duhet të përballemi me qasjen e duhur, në ndeshje të tilla. Këto ndeshje ndihmojnë për të ndërtuar mentalitetin e një skuadre. Duhet ta marrim me qetësi këtë ndeshje. Duhet shumë respekt për San Marinon. Kjo na jep mundësi për të marrë masat e duhura për situatat që mund të ndodhin në gjashtë ndeshje. E rëndësishme është të bëjmë ndeshjen më të mirë të mundshme dhe të tregojmë ato që kemi përgatitur. Duhen lexuar situatat. Duhen bërë zgjedhjet më të mira, në varësi të mënyrës se si do të luajë kundërshtari”, tha Maran.
Ndërkohë, kapiteni Berat Gjimshiti u shpreh se Shqipëria nuk duhet ta konsiderojë ndeshjen të lehtë dhe kërkoi përqendrim maksimal nga skuadra. Ai theksoi se kuqezinjtë synojnë vendin e parë në grup.
“Përqendrimi duhet të jetë në çdo ndeshje 100 për qind. Nuk duhet të konsiderojmë asnjë kundërshtar të lehtë, por duhet të japim maksimumin. Kishim një periudhë jo të mirë, por besoj se kthesa për ne ishte sfida ndaj Bjellorusisë, ku arritëm të fitojmë 2-0. Ne duam vendin e parë në grup dhe për këtë synim luftojmë. Duhet të hyjmë në fushën e blertë me mentalitetin e duhur, besoj se do ia dalim të gjithë bashkë. Edhe ata që vijnë nga pankina janë shumë të rëndësishëm nesër”, tha ai.
Gjimshiti shtoi se rezultati i ndeshjes do të varet edhe nga mënyra se si Shqipëria do ta përballojë sfidën, duke vënë theksin te agresiviteti dhe cilësia e skuadrës.
“Futemi në fushë me mentalitetin e duhur. Të jemi gati 100%. Varet si do luajë San Marino, por edhe më shumë si do luajmë ne. Me agresivitetin dhe kualitetin që kemi, do ia dalim bashkë. Duhen 11 lojtarë në fushë, ata nga pankina do jenë shumë të rëndësishëm nesër. Kjo duhet të jetë forca jonë nesër”, tha ai.
Për sfidën me San Marinon, Maran pritet të bëjë disa ndryshime në formacion. I sigurt duket debutimi i Samuel Sinës, i cili ishte një nga risitë e trajnerit italian në listën e Ligës së Kombeve. 19-vjeçari pritet të aktivizohet në prapavijë, në vend të Hysajt, ndërsa Maran e kishte paralajmëruar më herët se Sina mund të luajë në krahun e djathtë.
Stavro Pilo dhe Ylber Ramadani pritet të pushojnë për këtë takim, për shkak të ndëshkimit ndaj Bjellorusisë, që u rrezikon sfidën me Finlandën. Në vend të Pilos pritet të luajë Mitaj, ndërsa Shehu pritet të aktivizohet në vendin e Ramadanit.
Ndryshime të tjera priten edhe në sulm, me Taulant Seferin dhe Arbër Hoxhën që pritet ta nisin ndeshjen nga stoli. Në vendet e tyre pritet të aktivizohen Mehmeti dhe Uzuni.
Nga formacioni që luajti ndaj Bjellorusisë, si titullarë pritet të mbeten portieri Berisha, Ismajli, Gjimshiti, Asllani, Muçi dhe Manaj.
Shqipëria do të kërkojë kështu fitoren në transfertën ndaj San Marinos, me synimin për të vijuar rrugëtimin në Ligën e Kombeve dhe garën për vendin e parë në grup.





