Kur më kërkoi miqësisht botuesi i “Dyrrah”-ut të shkruaja diçka për festimet e 1 majit në komunizëm, m’u kujtua një numër i gazetës “Adriatiku”, ai i prag-1-majit 1990. Këtu e 22 vjet të shkuara. Çfarë do të bënte gazeta lokale, organi i komitetit te PPSH të rrethit të Durrësit pak muaj para rrëzimit të diktaturës për këtë festë? Tradicionalen.

Numri festiv i 1 majit binte të dielën. Dy faqet e mesit, dysh-treshi, rezervoheshin për 1 majin, festën e punëtorëve. Pa dyshim, dhe faqja 1. U porositën një reportazh, dy skica (në zhargon “hartime”). Për gjinitë letrare në redaksi kishim si gazetarë dy poetë me emër në rang kombëtar (Aqif Hysa dhe Demir Gjergji), një prozator-historian (Arben Doçi), përveç redaktorëve të ekonomisë e kulturës (Haxhi Shima dhe Teuta Mulaj). Shto këtu dhe bashkëpunëtorët, sidomos njëri, poet, që më vonë u bë dhe deputet i PSSH-së deri në vitin 2004. I qante skicat Bardhyl Agasi. Këta numrat festivë ishin të lehtë.

Por nga ana tjetër, “Adriatiku” kishte marrë namin në qarqet intelektuale të Durrësit dhe kryeqytetit për “gazetë vendore liberale”, “me ndikime të huaja” etj., sidomos pas botimit të intervistës ekskluzive me këngëtarin italian Albano Karrizi (Carrisi) dhe atyre të përkthyera me aktorët italianë Mikele Plaçido (Michele Placido) dhe Barbara De Rossi të Sokol Muhos; mbretëreshës së rokut Tina Tërnerit (Turner) nga Aleksandër Kokomani, nobelistit spanjoll Kamilo Hoze Sela (Camilo José Cela, 1916-2002) dhe specialeve për kampionatin botëror të futbollit nga inxhinieri poliglot, biznesmeni Feim Alliu, shkrimeve me thirrje të fshehura për greva, hapje, pluralizëm; artikujve problemorë me kritika të ashpra për dështimet në efektivitetin ekonomik, investimet etj.

Në fakt, gazetat vendore nuk dilnin në treg, por për ato kishte pajtime, p.sh. “Adriatiku” mbante rekordin kombëtar me 3 mijë copë tirazhi për Durrësin dhe Kavajën, ndonëse kishte kërkesa për më shumë, gjë e pamundur për një sërë arsyesh. Faqja që “shiste” të dielave, ishte katra, “E diela e larmishme”. Ajo përmbante kryesisht informacione, letrare kulturore, sportive të huaja. Dëgjonim fjalë të mira nga lexues dhe elita e Tiranës, por jo pak kokëçarje kishim nga drejtues të partisë në rreth, ministra, thashetheme, deri dhe provokime të ndyra publike prej smirëzinjve të gazetave qendrore etj.  

Në këtë atmosferë të përndezur në prag të ndryshimeve epokale, po diskutonim në redaksi rreth numrit festiv të 1 majit. Dhe pse i kishim të “shitura” 3 mijë kopje, kishim një farë guximi prej kokëkrisuri të thoshim që numri festiv ishte i dobët! Duhet të kishim diçka si karrem për lexuesin, ndonëse i kishte paguar paratë për pajtim 6-mujor.

M’u kujtua se sapo kisha redaktuar dorëshkrimin e një bashkëpunëtori të jashtëm, Aleksandër Kokomanit. Ishte përkthimi i një interviste të aktores së famshme franceze Brizhit Bardo (Brigitte Bardot), që shqiptarët e njihnin prej filmave të shfaqur në kinema si “Babeta shkon në luftë” (Babette s'en va-t-en guerre) etj.. Iu propozua kryeredaktorit Fatos Kullaj që e miratoi. Po ashtu u shtuan disa shkrime të shkurtra. Faqja e katërt “E diela e larmishme” ishte gati. Nisëm në Tiranë për klishe një foto të aktores franceze.

Të dielën, pasi gazeta ishte shtypur, nuk na ngacmuan për faktin se në krye të faqes së dytë festive ishte një foto e madhe e Enver Hoxhës e Ramiz Alisë në tribunën e 1 Majit, kurse në fund të faqes së katërt një foto e Brizhit Bardo-së me gjinj të zbuluar! Në të vërtetë, edhe nuk u ndiem mirë. Por as edhe keq.

Prisnim me ankth të hënën për ndonjë reagim si nga “të mëdhenjtë” e rrethit, ashtu dhe nga Tirana. Nga zyra e Presidentit nuk vinin kritika, madje, na inkurajonin. Por kërcet telefoni nga shefi i sektorit të shtypit në KQ të PPSH. Bubullinte për “sakrilegjin”, ngaqë nuk kishim bërë retushim duke mos mbuluar bustin e seks-simbolit dhe pse kishim gjetur numrin festiv për këtë foto (pas një viti anëtari i KQ të PPSH u vetëquajt disident; aktualisht, ambasador në një shtet evropian).

2.

Në mungesë të përkujtimeve fetare, madje dhe të një riti pagan sikurse është Dita e Verës, në kohën e komunizmit, 1 maji, më shumë se ngjarje politike, perceptohej si “Festë e Festave”. Ishte e ndryshme nga 7-8 dhe 28-29 nëntori. Thjesht, 1 maji përkonte me pranverën. Ishte rasti që fëmijëve, t’u bëheshin dhurata, t’u qepeshin rroba të reja.

Vajzat dhe djemtë hiqnin veshjet dimërore. Ndërmarrjet, pas parakalimit, mund të organizonin piknikë në Kodër-Vilë. Gatuhej diçka e veçantë për drekë. Bëheshin vizita në familjet e të afërmve, shokëve, kolegëve. Ishte një lloj gëzimi mes halleve të shumta që kishin njerëzit, sidomos në fund të viteve 1980. Paradite dhe në mbrëmje bëheshin shëtitje buzë detit, nga hyrja e portit deri në Currila. Vajzat bënin “sfilatë” me fustanet, fundet, bluzat pranverore, çunat mundoheshin “gjuanin”. Kuadrot e regjimit shkonin në lulishten para ish-“Vollgës”, ku kishte orkestër.

Quhej gjë e madhe, ishte lokal turistik, me çmime të larta, sikur të kishe shkuar sot në “Rogner”. Djemtë uleshin në murin rrethues dhe dëgjonin me ëndje muzikën. Por, marrëzia dhe në këtë rast, nuk njeh kufi. Në vitin 1990, u prish lulishtja, u prenë pemët dhe u shtrua betoni për monumentin e Rezistencës. Kurse, njerëzit e thjeshtë, kryesisht punëtorë, me ato pak lekë, familjarisht shkonin të pinin birrë me fuçi dhe të hanin qofte e ndonjë bërxollë te lulishte “1 Maji”.

U shkonte emri i lokalit. U mbyll në vitin 1991. Tani aty u ngrit një qiell-gërvishtëse. Por ka mbetur toponimi: “Lulishte Një Maj”. “Hakmarrje” e ëmbël e së kaluarës. 

3.

E vetmja gjë e bezdisshme ishin parakalimet e kolektivave punonjës. Sidomos kur koha ishte e vrenjtur apo kur binte shi apo frynte ndonjë veri i ftohtë. Rrethi i Durrësit (ku përfshihej edhe zona e Kavajës) ishte me popullsi mbi 50 për qind qytetare, ndryshe nga mesatarja e republikës me 65-70 për qind fshatare.

Po ashtu, përveç Tiranës, Durrësi kishte numrin më të madh të ndërmarrjeve industriale dhe bujqësore në vend. Numëroheshin mbi 60 mijë punëtorë. Ishin ndërmarrje kombëtare me lëndë të para importi për shkak të kostos së ulët të transportit si nyjë e komunikacionit detar. Ishin ndërmarrje prej mijëra punëtorësh secila si porti, ndërmarrjet e peshkimit dhe rritjes së peshkut,hekurudha, flota tregtare, parku i mjeteve të eksportit, kantieri i riparimit dhe prodhimit të anijeve, uzina e radio-televizorëve, uzina elektro-mekanike, kombinati i gomës, miniera e qymyrgurit Manzë, fermat shtetërore të Sukthit dhe Frutores së Spitallës, fabrika e prodhimeve plastike, uzina e mekanikës bujqësore, ofiçinat e riparimit dhe prodhimit të makinerive të ndërtimit, ndërmarrja e riparimit të automjeteve të komunikacionit, ndërmarrjet e prodhimit të veshjeve, uzina e prodhimit të gozhdë-bulonave, fabrikat e letrës, qelqit, cigareve; ndërmarrjet e prodhimeve ushqimore të Durrësit, Shijakut, Kavajës, Rrogozhinës etj.

Prandaj dhe regjimi mundohej të rregullonte imazhin me 1 majin dhe parakalimet, ku punëtorët do të paraqisnin dhe prodhimet e reja, deri vagonët hekurudhorë, autokombajnat, rimorkiot etj. Por kjo klasë punëtore gjigande, për shkak të kolapsit të ekonomisë dhe mungesës së lëndëve të para, u bë dhe viktima masive e pagesës me 80 për qind. Ishte kjo arsyeja që Ramiz Alia, pas vdekjes së Enver Hoxhës, zgjodhi Durrësin për të retushuar regjimin.

Klasa punëtore e rrethit bregdetar, më e kualifikuara në vend, ishte dhe “varrmihësja” e komunizmit, duke filluar nga Kavaja në Durrës. Bashkimet profesionale të shndërruara tashmë në sindikata, kërkonin hapjen, pluralizmin. Mes krerëve të sindikatës ishte dhe një bashkëpunëtor i “Adriatikut”. Po mijëra punëtorë të kualifikuar rrëmbyen anijet dhe shkuan në Itali, ku u dalluan menjëherë për aftësitë e tyre.

Epilogu

Tani? Një majin e festojnë administratat, arsimi, shëndetësia publike. Sindikata nuk ka. Firmat më të mëdha, biznesi i madh apo VIP, numërojnë maksimumi deri 200 punëtorë, kryesisht femra, në rrobaqepësitë që punojnë me material porositësi nga importi. Aty punojnë nga më të këputurit e shoqërisë. Nuk ua kanë takatin festimeve nëpër lokale.

Madje, absurdi është se ditën e protestës së proletariatit, nëpër lokale festojnë edhe biznesmenët. Ata që janë të punësuar, shtresat e varfra, nuk e konsiderojnë më 1 majin “Festën e Festave”. Tani kanë Bajramin, Pashkët, Hashuren, Ditën e Verës. Natyrisht, Vitin e Ri dhe Krishtlindjet. Çfarë kishin për të dhuruar, veshur për 1 majin, i kanë shpërndarë gjatë gjithë vitit.

E megjithatë, gëzuar 1 majin!