Në portin e Durrësit ka nisur puna për instalimin e 27 kalunave të rinj, që shërbejnë për ankorimin e anijeve në kalatat 1-4.
Sipas burimeve zyrtare nga APD-ja, punimet parashikohet të zgjasin 90 ditë dhe vendosja e tyre do të përfundojë në fillim të muajit prill të këtij viti.
Vlera e investimit të planifikuar nga APD-ja për objektin “Zbatim-Furnizim Vendosje e kalunave në Kalatat 1, 2, 3 dhe 4” ishte afro 15 milionë lekë, ndërsa pas konkurrimit ajo u ul në shifrën 12.455.871 lekë.
Sipas të dhënave të Drejtorisë Teknike dhe Zhvillimit, punimet po kryhen në kalatat 1 (178.5 metra linear), 2 (292.2 ml), 3 (30 ml) dhe 4 (173.8 ml), pra në një gjatësi totale prej rreth 674.5 metrash linear.
Aktualisht porti disponon afro 84 copë kaluna dhe në zbatim të këtij projekti do të rinovohen rreth 32 për qind e tyre.
Firma fituese e tenderit dhe zbatuese e projektit është “Al-Asfalt”.
Ndërkaq, punimet për realizimin e këtij projekti nuk pengojnë veprimtarinë e përditshme për ankorimin e anijeve në kalatat ku do të kryhen punimet. Sipas të dhënave të Drejtorisë Teknike dhe Zhvillimit, projekti parashikon zëvendësimin në çdo dy kaluna, duke lënë hapësirë dhe mundësi që të përdoren kalunat ekzistuese.





