· Dritëroi: “Shkërdhatokracia” e Nanos dhe e Benit [që nuk ecte me këmbët e veta]
DURRËS, 10 maj 2015 – 15 vjet më parë, më 24 shkurt 2000, pesë ditë pas largimit nga Tirana të ish-Sekretares legjendare të Shtetit të SHBA-së, Madlen Ollbrajt (Madeleine Albright) , përditshmja “Koha Jonë” botonte editorialin me titull “Takimet sekrete të kryeministrit Meta” (shih faksimilen dhe tekstin e plotë). Bie në sy se autorët bënin presion të hapur deri në kufijtë e shantazhit, duke u mburrur se “media gjithnjë ka informacion, të cilin edhe Fatos Klosi [në atë kohë shef i SHISH-it] nuk e ka, ndaj mirë do të ishte të thuhet diçka”. Autorët e editorialit (të paktën, janë tre të tillë me peshë) kanë zbuluar se “përveç takimeve zyrtare dhe publike me Sekretaren Amerikane të Shtetit, zonjën e nderuar Ollbrajt, kryeministri Ilir Meta ka zhvilluar edhe një takim prej 25 minutash kokë më kokë, i cili mbeti jashtë agjendës zyrtare për publikim. Këtë takim shumë pak persona e dinë”.
VEGLAT E NANOS
Politikani Fatos Nano, që ishte detyruar të jepte dorëheqjen si kryeministër më 27 shtator 1998, ishte i interesuar për fatin e vet të ardhshëm politik. Ai përdori dy njerëz të tij, kushëririn Ben Blushi që e kishte bërë zëvendësministër të Jashtëm, ndonëse ishte etiketuar publikisht nga shkrimtari i madh Dritëro Agolli si “shkërdhatokrat” vs “meritokrat”, dhe botuesin Nikollë Lesi që e kishte bërë deputet të listës së PS-së: “Pse Kryeministri [Ilir Meta] nuk shpjegon se çfarë është biseduar për Berishën dhe Nanon, nëse është biseduar, por që ajo nuk i takoi? Pse në drekën e Ollbrajt nuk u ftua Presidenti i Republikës, Meidani? Këto dhe disa pyetje të tjera lindin, ndofta me pa të drejtë”.
INATI ME OLLBRAJTIN
Në pamje të parë, autorët e editorialit (Nano-Blushi-Lesi) duket se e kanë “inatin” me Metën, por, në të vërtet, ata janë të pakënaqur me SHBA-në dhe Sekretaren e Shtetit: “Nëse supozojmë për takimin e tij kokë më kokë, nuk duam kurrsesi ta neglizhojmë rolin historik të SHBA dhe të Presidentit Klinton për çështjen tonë kombëtare, siç ishte rasti i Kosovës. Populli shqiptar i është mirënjohës edhe zonjës Ollbrajt, e cila me gjithë forcën e shpirtit e ndihmoi popullin tonë, por nëse ajo ka sugjeruar apo ka kritikuar diçka tjetër në takimin sekret me Metën, përse nuk thuhet thelbi i bisedës?”
BEOGRADI
Pa u hyrë teorive konspirative për lidhje hipotetike të “KJ”-së me shërbimet sekrete të Beogradit (sikurse e ka akuzuar PD-ja deri atëherë), është fakt që në këtë editorial kërkohet llogari se “çfarë bisedoi Kryeministri [Meta] me Hashim Thaçin dhe Arbër Xhaferin në restorant “Ambasadori”?… mirë do të ishte të thuhet diçka për “kompromisin” treshe: MetaThaçi-Xhaferi. Dhe po të vazhdojmë më tej mund të pyesim: Mos ka ndonjë plan perëndimor për fuqizimin e kësaj tresheje që bisedon dhe darkon fshehtas?! Apo është vetëm një preferencë e tyre?”
Kështu, “KJ”-ja ishte në një gjatësi vale me mediet dhe shërbimet sekrete serbe
ATË QË NUK GUXON TA BËJË AS “NEW YORK TIMES”
Natyrisht, ky shkrim është një hartim që i takon një gazetarie para-profesioniste. As që mund të përfytyrohet që “New York Times”, “Le Monde”, “The Guardian”, “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, “El Pais” etj. t’i kërkojnë llogari, madje të shantazhojnë Departamentin e Shtetit, Ministritë e Jashtme të Francës, Britanisë së Madhe, të Gjermanisë, Spanjës pse nuk i informojnë për bisedimet kokë më kokë me homologët e vet. Ja deri ku shkon megalomania e editorialit: “Përveç mbështetjes publike amerikane se çfarë i është thënë Metës në takimin kokë më kokë, të cilin ai zyrtarisht e mohon, por që realisht është kryer, mbetet ende për të mësuar… Edhe nëse përgënjeshtrimi del sot nga Kryeministria për mos takim kokë më kokë me znj. Ollbrajt prej 25 minutash pa praninë e askujt, përsëri “Koha Jonë” do të botojë nesër fakte të tjera, të cilat i përkasin këtij takimi”, edhe pse pranohet që “Meta ka biseduar gjëra shumë sekrete që duhet t’i dijë vetëm si kryeministër”!
PULA DHE SORRA
Meqë nuk i eci me zhurmën dhe shantazhin, duke mos nxjerrë dot “sekretet” nga takimi kokë më kokë, “KJ”-ja e “mbajti” fjalën pas dy ditësh. Më 26 shkurt 2000, në dy faqe të plota (4-5) u botua “Dokument sekret nga protokolli i takimit me Meidanin dhe Metën / Botohet teksti i bisedave të Ollbrajt në Tiranë. Për arsye sekreti, nuk jepet nga “Koha Jonë burimi i daljes së këtij dokumenti të rëndësishëm nga një zyrë shtetërore” (shih faksimilet).
Po të përdorimin terminologjinë e gazetarisë, këtu kemi të bëjmë me një korrespodencë të zgjeruar të bisedimeve të Ollbrajtit me dy krerët e lartë të shtetit, ku nuk ka asnjë sekret. Thjesht, janë protokolle të zgjeruara të përgatitura Presidencë, Kryeministri dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ky është favori që arriti t’i bëjë “KJ”-së nr. 2 i dikasterit shqiptar të diplomacisë. Kur nuk ke pulën, kënaqesh dhe me sorrën.
SHPËRBLIMI
Por gjithë kjo “rrëmujë” mediatike nuk la përshtypje të mira në ambasadën amerikane për pabesinë foshnjarake dhe mungesën e seriozitetit të një funksionari të qeverisë shqiptare. Meta u detyrua ta çojë Blushin prefekt në Korçë, por në vitin 2001-2002 e rehabilitoi si Ministër të Arsimit dhe Shkencës. Kurse Nano nuk e harroi kushëririn e vet për shërbimin, duke e shpërblyer në shtator 2002 deri në vitin 2005 me postin e Ministrit të Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit.
Dokumenti/ Editoriali “Takimet sekrete të kryeministrit Meta”
Përveç takimeve zyrtare dhe publike me Sekretaren Amerikane të Shtetit, zonjën e nderuar Ollbrajt, kryeministri Ilir Meta ka zhvilluar edhe një takim prej 25 minutash kokë më kokë, i cili mbeti jashtë agjendës zyrtare për publikim. Këtë takim shumë pak persona e dinë. Kureshtjes së gazetarëve të shtypit të shkruar dhe medies elektronike, kryeministri Meta, mbrëmë duke hyrë në Parlament, nuk ka pranuar t’i përgjigjet me pohim apo refuzim të faktit. Por përkundrazi, kjo pyetje i ka shkaktuar atij reagimin përmes një përgjigjeje të prerë dhe disi të egër. Ky nervozizëm i kryeministrit drejtuar gazetarëve të pranishëm, në momentin e hyrjes se tij në parlament, të lë një shije jo të mirë për moskorrektesën e tij në raport me medien, të cilën, zakonisht e respekton, ndonëse në konferencën e shtypit me Ollbrajt, ai kritikoi medien se sulmon pa fakte dhe shfrytëzon situatat politike për të shkatërruar qeveritë. Megjithatë, duke i bashkëngjitur edhe takimin e para dy ditëve me liderin kosovar Hashim Thaçi dhe Arbër Xhaferin, kreun politik të shqiptarëve të Maqedonisë, takim që është kthyer në një darkë pune, sekrete e kryeministrit Meta, të krijohet mendimi se ose kryeministri ka filluar ftohjen me masmedian, ose ai, pra Meta ka biseduar gjëra shumë sekrete që duhet t’i dijë vetëm si kryeministër. Madje edhe Presidenti i Republikës Meidani, çuditërisht është përjashtuar qoftë edhe nga informimi për këto takime pune. Se çfarë është biseduar ndër të tjera, jashtë protokollit për publik me shefen e diplomacisë amerikane Ollbrajt, ende mbetet sekret për publikun shqiptar. Përveç mbështetjes publike amerikane se çfarë i është thënë Metës në takimin kokë më kokë, të cilin ai zyrtarisht e mohon, por që realisht është kryer, mbetet ende për të mësuar. Madje pyetjet që shtypi i adreson këtij takimi ndër të tjera janë: Cilin ministër ka vendosur të shkarkojë kryeministri për akuzat për korrupsion apo moskoordinim me politikën e jashtme që ndjek qeveria? Edhe nëse përgënjeshtrimi del sot nga Kryeministria për mos takim kokë më kokë me znj. Ollbrajt prej 25 minutash pa praninë e askujt, përsëri “Koha Jonë” do të botojë nesër fakte të tjera, të cilat i përkasin këtij takimi. Megjithatë, pa e neglizhuar miqësinë e sinqertë të SHBA, pa neglizhuar dëshirën e mirë Metës për luftë ndaj korrupsionit, pa harruar se ai po përgatitet për t'i bërë “kurban” dy ministra të Kabinetit të tij, që nuk e meritojnë postin, pa lënë mënjanë se e ka ndryshuar urgjentisht strategjinë me Italinë, në sensin pozitiv; nuk mund të rrimë pa i kujtuar Kryeministrit energjik e kurajoz se te paktën, nëse Ollbrajt i ka përcjellë ndonjë mesazh për dorë të fortë ligjore nga ana e tij, atëherë Kryeministri të mos hezitojë t’i bëjë publike këto sugjerime. Por edhe nëse gjatë takimit top-sekret i ka bërë ndonjë kritikë, e mira e do, që të jetë i hapur me masmedian. Natyrisht që ka edhe biseda sekrete ku mund të përfshihen çështje për situatën në Rajonin e Ballkanit, reagimet, përforcimet, etj, etj, duke mos harruar edhe situatën në Mal të Zi.
Nëse supozojmë për takimin e tij kokë më kokë, nuk duam kurrsesi ta neglizhojmë rolin historik të SHBA dhe të Presidentit Klinton për çështjen tonë kombëtare, siç ishte rasti i Kosovës. Populli shqiptar i është mirënjohës edhe zonjës Ollbrajt, e cila me gjithë forcën e shpirtit e ndihmoi popullin tonë, por nëse ajo ka sugjeruar apo ka kritikuar diçka tjetër në takimin sekret me Metën, përse nuk thuhet thelbi i bisedës? Këndej lind edhe një pyetje tjetër: Pse Kryeministri nuk shpjegon se çfarë është biseduar për Berishën dhe Nanon, nëse është biseduar, por që ajo nuk i takoi? Pse në drekën e Ollbrajt nuk u ftua Presidenti i Republikës, Meidani? Këto dhe disa pyetje të tjera lindin, ndofta me pa të drejtë, por e drejta sërish rikthehet me shtypin kur nuk i tregohen të gjitha publikut.
Nëse vazhdojmë edhe më tej, çfarë bisedoi Kryeministri me Hashim Thaçin dhe Arbër Xhaferin në restorant “Ambasadori”? Ndofta Meta harron se media gjithnjë ka informacion, të cilin edhe Fatos Klosi nuk e ka, ndaj mirë do të ishte të thuhet diçka për “kompromisin” treshe: MetaThaçi-Xhaferi. Dhe po të vazhdojmë më tej mund të pyesim: Mos ka ndonjë plan perëndimor për fuqizimin e kësaj tresheje që bisedon dhe darkon fshehtas?! Apo është vetëm një preferencë e tyre? Natyrisht që Kryeministri nuk do të përgjigjet ose do të përpiqet t’u shmanget këtyre përgjigjeve, por kur ka shumë sekrete nga një kryeministër, të cilat nuk i tregohen as partisë së tij, as Parlamentit, atëherë ai, ose është shumë i besuar, ose ka një kartë të re të Perëndimit, ose ka vendosur për t’u treguar i rreptë me të gjithë ata që shkelin ligjin, duke përdorur po forcën e ligjit. Megjithatë, përballë këtyre pyetjeve dhe detyrimit për të qenë transparent me popullin dhe qytetarët e vet, Kryeministri më së shumti duhet të zgjedhë një fjalë sqaruese.
“Koha Jonë”, 24 shkurt 2000, faqe 4.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/