Më shumë se 3 vite pas tërmetit të 26 nëntorit, pallati 12-katësh i firmës “Gora” në lagjen nr.12 po degradohet gjithnjë e më shumë. Pas kalvarit të gjatë të hartimit të disa aktekspertizave nga Instituti i Ndërtimit për rikonstruksionin apo shembjen e tij, 65 familjet që banonin në të kërkojnë nisjen sa më shpejt të punimeve, sepse godina ka dëmtime të shkallës DS3.
“Duam që sa më shpejt të nisë puna, sepse pallati po dëmtohet. Përgjigja që morëm sot nga inxhinieri i ndërtimit në bashki ishte që presim fondin nga Ministria”,- thotë një banore për “DurrësLajm”.
“Kemi kërkuar që të nisë sa më shpejt rikonstruksioni i pallatit, sepse kemi 4 vite jashtë. Kryetarja na ka thënë që rikonstruksioni do të nisë me fondet e bashkisë”,- shton një tjetër.
Shqetësimi kryesor për banorët mbetet zvarritja institucionale për t’i dhënë zgjidhje problemit të tyre. Prej vitesh tashmë jetojnë në shtëpi me qira dhe ndihen të pasigurt.
Prej kohësh, pallati po dëmtohet edhe më shumë nga hajdutët, të cilët kanë vjedhur rrjetin elektrik, sahatët e ujit dhe kangjellat. Në pallatin nr.15 gjithçka ka mbetur e ngrirë si më 26 nëntor 2019, ndërsa rreziku potencial që përbëjnë pjesët e muraturës të dëmtuara është i madh.
M.B.