Rënia e ndjeshme e fuqisë blerëse ka ndikuar në të ardhurat e tregtarëve në markatën e Durrësit.

Për shkak të emigrimit masiv të familjeve përgjatë viteve të fundit, në treg ka shumë më pak blerës së vitet e kaluara dhe për pasojë të ardhurat kanë rënë me 30-50%.

“Fuqia blerëse është shumë më e ulët krahasuar me vitet e tjera, për shkak të ikjes së njerëzve. Është 50% më pak të ardhura krahasuar me vitin e kaluar dhe kjo do të vazhdojë sepse emigrimi nuk frenohet”,- thotë për “DurrësLajm” një tregtar.

“Shumë dobët, nuk ka shitje. Çmimet janë shumë lirë. Mandarinat janë 40 lekë, portokallët 50 lekë por nuk i blen kush.  Kam rënie me 30-40%, sepse nuk ka njerëz. Çdo vit është bërë më keq”,- thotë një tjetër tregtar.

Megjithëse çmimet e produkteve të stinës dhe jo vetëm janë më të lira sesa vitet e kaluara, në treg mëngjesin e kësaj të hëne kishte pak blerës. E shumë prej tyre ankohen se nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për blerjet e fundvitit.

“100 mijë lekë merr nëna. Nga dy-tre kokrra marr për secilën”,- thotë një pensioniste.

“Ku është leku, ku është puna që ne të blejmë më shumë, nuk e shikoni markatën, të marrë kali vrapin është!”,- thotë një konsumatore.

“Një pjesë i blejmë, një pjesë i lëmë pa blerë. P.sh. mishi është 13 mijë lekë kg, nuk e blej dot”,- thotë një pensionist që vërtitet nga tezga në tezgë për të blerë sa më lirë produktet e dëshiruara.

Një tjetër pensionist rendit disa nga produktet që do donte t’i gjente me çmim më të lirë.

“Janë me çmime të kripura, p.sh. mollët, karrotat, dardhat për të cilat ne kemi nevojë”,- thotë ai.