30 pëllumba dhe 30 tullumbace të bardhë do të lëshohen pasditen e sotme, në orën 17.00, drejt qiellit për Xhino Koçën, në përvjetorin e 30-të të tij.

Megjithëse mungon fizikisht prej disa muajsh, Xhino është aty, mes familjes, shokëve, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin nga afër.

Askush nuk mund ta harrojë djalin e qeshur, mikun e dashur, të riun përherë gati të thoshte një fjalë të mirë për këdo apo t’i ofronte ndihmën e tij. 

“DurrësLajm” ka përgatitur një speciale për rrugëtimin e 29-vjeçarit Xhino Koça, i cili u nda tragjikisht nga jeta më 14 gusht 2020, në momentin kur ishte i përmbushur shpirtërisht dhe me plot plane për të ardhmen. 

Miq dhe kolegë të tij flasin mes dhimbjes për atë çfarë ishte Xhino, çfarë përfaqësoi ai në jetën e tyre dhe sa e ndjejnë mungesën e mikut të tyre të mirë, ku drejtoheshin shpesh për këshilla. 

“Këtë vit është ditëlindja e 30-të e djalit tonë. 30 pëllumba dhe 30 tullumbace të bardhë do të lëshohen drejt qiellit, duke u kthyer në simbol të përqafimit tonë për Xhinon”, shkruante mes dhimbjes e ëma e tij stilistja e njohur durrsake, Lira Koça, ndërsa lajmëronte në rrjete sociale ceremoninë që do të zhvillohet sot tek “Sfiksi”.

M.B.