Rreth 3500 persona me aftësi të kufizuar janë aktualisht të regjistruar si punëkërkues në Shqipëri, sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive. Shumica e tyre janë të regjistruar në qytetet e mëdha si Tirana, Gjirokastra, Fieri, Dibra dhe Elbasani.

Ervisa Kuka, një vajzë me shikim të reduktuar, është shembull frymëzimi për shumë të tjerë. Diplomuar për drejtësi, ajo punon prej dy vitesh si specialiste e Shërbimeve të Punësimit në Zyrën e Punës në Tiranë. Ajo thotë se sfidat ekzistojnë, por vullneti i mposht.

“Është e vështirë, por jo e pamundur. Jam munduar vetë me forcat e mia”, tregon Ervisa, duke theksuar se aftësitë dhe përkushtimi duhet të jenë në qendër të vlerësimit në tregun e punës, përtej çdo paragjykimi.

Mesazhi i saj është i qartë: “Të trokasin! Nëse keni dëshirën për të punuar, do të hapet një derë për ju.”

Sipas AKPA, në vetëm dy vitet e fundit janë integruar në tregun e punës rreth 650 persona me aftësi të kufizuar, falë kurseve të formimit profesional, programeve të nxitjes së punësimit dhe bashkëpunimit me sektorin privat dhe publik.

Megjithatë, sfidat nuk mungojnë. Gertiola Çepani, përgjegjëse për Shërbimet e Punësimit në AKPA, thekson se: “Duhet ndryshuar mentaliteti dhe të ndërtojmë një treg pune më gjithëpërfshirës dhe dinamik.”

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Tatimeve, në janar 2025 ishin të punësuar vetëm 136 persona me aftësi të kufizuar – 55 në sektorin publik dhe 81 në atë privat.