OHER– Mëngjesin e sotëm, në rrugën “Dejan Vojvoda” në Ohër, ka ndodhur një grabitje me dhunë dhe me pasoja të rënda për K.A (48).

Rreth orës 8.00 të mëngjesit të sotëm në rrugën “Dejan Vojvoda”, katër persona të panjohur, duke lëvizur me veturën e tyre  “Volsvagen-jeta”, me targa të Kërçovës, pasi e kanë përcjellë K.A. që ka lëvizur në këmbë asaj rruge, e kanë përplasur me veturën e tyre, ku ka marrë lëndime të rënda trupore dhe pasi e kanë përplasur përtokë, një nga katër grabitësit ka dalë nga vetura dhe ia ka rrëmbyer çantën, në të cilën, sipas pohimeve të  K.A. ka pasur brenda saj 120 mijë euro.

Pas grabitjes, grabitësit kanë ikur në drejtim të Kërçovës dhe me të mbërrirë në afërsi të fshatrave Trebenishtë dhe Mesheishtë, ata e kanë braktisur veturën e tyre “Volsvagen-jeta” të cilës i kanë vënë zjarrin dhe janë larguar në drejtim të paditur.
Personi A.K. (48), për shkak të lëndimeve trupore është dërguar në spitalin për ortopedi dhe traumatologji “Shën Erazmo” dhe është jashtë rrezikut për jetën.

SPB në Ohër, ka ndërmarrë aktivitete dhe veprime intensive për zbulimin dhe zbardhjen e plotë të personave që kryen këtë grabitje me pasoja të rënda për shëndetin e njerëzve në këtë vepër të rëndë penale dhe nxjerrjen e tyre para organeve të drejtësisë.

Është kjo grabitja e dytë brenda 2-3 ditëve në Ohër, pas grabitjes së argjendarisë “Gold”, kur janë grabitur gjësende ari në vlerë prej afro 100 mijë euro.