DURRËS, 22 mars 2013 – Që në shekujt e mesjetës së hershme (si një territor i përbashkët i Perandorisë Bizantine), qyteti italian i Ravenës zhvillonte një tregti intensive me bregun shqiptar të Adriatikut, në mënyrë të veçantë me qytetet e Durrësit dhe të Vlorës, sipas Eqerem Çabejt, që ka bërë një studim të shkurtër mbi praninë e shqiptarëve në Itali, ku flet për një valë shqiptarësh që vendosen në qytetin e Ravenës në vitet 1478-1479.
Jo rastësisht, një nga portet e shumta të gadishullit të Karaburunit edhe sot e kësaj dite quhet Porto di Ravenna, ashtu siç quhen edhe dy të tjerë: Porto di Raguso – uno dhe Porto di Raguso – due.
Që nga antikiteti i vonë dhe gjatë gjithë mesjetës, këto porte shërbyen për eksportimin e mermerit dhe të lëndës drusore, por edhe për mallra të tjera të eksportit shqiptar.
Kjo lëvizje e dendur tregtare midis bregut shqiptar të Adriatikut dhe qytetit të Ravenës në mënyrë të natyrshme do të sillte dhe vendosjen e shumë tregtarëve nga Shqipëria në këtë qytet dhe në krahinat përreth tij, ashtu siç është e natyrshme që edhe qytetarë të Ravenës do të vendoseshin në qytetin e Durrësit.
Në këtë qytet (Durrës) do të gjejmë edhe tregtarë nga vise të tjera të bregdetit italian: Rimini, Venediku, Ankona, Barleta, Malfeta dhe Ortona.
Por jo vetëm tregtarë, po edhe qytetarë të shtresave të tjera shoqërore, siç është rasti i një kontestabli nga Ravena, thotë historiani i njohur Hasan Ulqini.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





