Radhë të gjata janë krijuar dy ditët e fundit pranë portit të Santorinit ku mijëra qytetarë, turistë e të punësuar kërkojnë të largohen përkohësisht nga frika e aktivitetit sizmik të vazhdueshëm dhe intensiv në ishujt Kyklades.

Sipas autoriteteve janë nga 6000- 9000 persona, midis tyre edhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar, që janë larguar nga Santorini. Kompanitë ajrore dhe ato detare kanë shtuar fluturimet dhe anijet drejt Athinës e Pireut, ndërsa qindra banorë kanë fjetur përsëri natën në makinat e tyre.

Vetëm në 3 ditët e fundit janë regjistruar mbi 555 tërmete, më i fuqishmi me magnitudë 4.9 Rihter, ndërsa sot në mëngjes ka pasur dy lëkundje prej 4.7 dhe 4.8 Rihter.

Autoritetet bashkë me specialistët dhe ministrinë për Mbrojtjen Civile dhe Krizës Klimatike, vlerësuan rreziqet për javët në vijim dhe vendosën që shkollat të mbeten të mbyllura për gjithë javën dhe që masat të zgjerohen në 9 ishujt përreth. Në gatishmëri janë edhe repartet e ndërhyrjes së shpejtë në rast katastrofash, që kanë sjellë gjeneratorë, çadra në rast dëmesh dhe gjithë materialet e nevojshme për rastet ekstreme.

Gjendja ka shkaktuar edhe interesin e mediave të huaja, sidomos pas njoftimit të Ministrisë së Jashtme britanike që këshillon shtetasit e saj që ndodhen në ishull të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.

Santorini është një prej destinacioneve më të famshme turistike të botës , i njohur për pamjet spektakolare të shkëmbinjve dhe të vullkanit të fjetur, të cilin e vizitojnë më shumë se 3.5 milionë turistë në vit.