DURRËS, 7 korrik 2015 –  Tragetet janë shfrytëzuar nga 220 738 udhëtarë shqiptarë dhe të huaj, një shifër 4 për qind më e ulët se sa 6-mujori i parë i vitit 2014 – njoftoi zyra e shtypit e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të personit juridik publik “Autoriteti Portual Durrës” (APD). 125 600 udhëtarë janë nisur me tragete drejt porteve të Barit, Brindizit, Triestes dhe Ankonës (Itali), duke shënuar një rritje prej 3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë  të vitit paraardhës. Numri i udhëtarëve në hyrje ka qenë shumë më i vogël se në dalje, vetëm 95 138 vetë, duke regjistruar një rënie prej 12 për qind. Rritje prej 5 për qind ka pasur në transportin e kamionëve, ndërkohë që vihet re një rënie prej 8 për qind në numrin e përgjithshëm të autoveturave. Janë transportuar 37 267 autovetura dhe mbi 32 mijë kamionë dhe trajlerë.

Tragetet kanë transportuar afro 373 mijë tonë mallra, nga të cilat 142 mijë tonë mallra për eksport.

 

 

 

/re. ekon. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/