Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Berat, ku një punëtor 66-vjeç ra nga lartësia dhe fatkeqësisht humbi jetën. Bëhet e ditur se pas kryerjes së verifikimeve të nevojshme, është shpallur në kërkim 65-vjeçari Tahir Numani, pronar i firmës BIFFER & CO SHPK, i cili u arratis menjëherë pas ngjarjes, pa dhënë asnjë shpjegim.

Gjithashtu raportohet se ka filluar proçedimi penal edhe për teknikun e firmës, shtetasin S.B,69-vjeç. Konkretisht pronari Tahir Numani dhe tekniku i firmës akuzohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Po ashtu raportohet se punonjësit punojnë në kantierën e ndërtimit pa asnjë siguri.

Viktima Ramadan Hatija, i është nënshtruar mbrëmjen e djeshme autopsisë mjeko-ligjore, cila ka konfirmuar se viktima nuk ka pësuar asnjë arrest kardiak, nuk ka pasur luhatje tensioni dhe në gjak nuk ka pasur alkool. Sipas autopsisë, plagët më të rënda që kishte marrë viktima ishin në kokë.