·        KUJTIME TË DJALIT TË AMBASADORIT SOVJETIK NË SHQIPËRI/ Fërkimet e para midis Tiranës dhe Moskës për pushkatimet e anëtarëve të byrosë politike. Një vizitë e panjohur e Mehmet Shehut (1913-1981) në mesnatë: “Na ndihmoni të marrim Kosovën”. 24 breshëri topash, pjesë e një spektakli madhështor në bregdetin e Adriatikut 

DURRËS, 11 maj 2015 – 59 vjet më parë, në maj 2015, në bregdetin e Durrësit është zhvilluar një spektakël madhështor nga një skuadrilje e flotës ushtarake-detare sovjetike me 24 të shtëna topi, kujton i biri i ambasadorit sovjetik në Tiranë Leonid Ivanoviç Krylov (1912-1982). “Dyrrah”-u (durreslajm.com) sjell kujtimet e piktorit të sotëm rus 72-vjeçar Vladimir Krilov, i cili në vitin 1956, kur shoqëronte të atin, Leonid Krilov, në shërbimin diplomatik në Shqipëri, në periudhën 7 dhjetor 1955-7 mars 1957,  ishte vetëm 12-13 vjeç. Piktori Vladimir Krilov ka botuar kujtimet e veta në një libër të titulluar “Njeriu i jashtëzakonshëm fuqiplotë”. Ishin vitet e para të Bashkimit Sovjetik pas-stalinist, kur u dukën dhe fërkimet e para midis Tiranës dhe Moskës, që çuan pas 5 vjetësh në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike. Diktatori shqiptar Enver Hoxha (1908-198) nuk kishte ndonjë mendim të mirë për Krilovin, madje, sipas kujtimeve të të birit, kishte kërkuar zëvendësimin e tij.

Në këto kujtime vihet theksi për divergjencat shqiptaro-sovjetike lidhur me qëndrimin ndaj Jugosllavisë: “në punën e përditshme diplomatike L. I. Krilov-it gjithmonë e më tepër i duhej të përballonte përpjekjet e udhëheqjes shqiptare për të përdorur autoritetin dhe ndihmën e Bashkimit Sovjetik për qëllimet e veta nacionaliste”. Autori hedh dritë mbi një ngjarje të panjohur, teksa kryeministri shqiptar i asaj kohe Mehmet Shehu, në orën një pas mesit të natës, i vjen në rezidencë ambasadorit për t’i transmetuar qeverisë sovjetike kërkesën e udhëheqjes së Shqipërisë për ta mbështetur “në përpjekjet për t’i bashkuar Shqipërisë territorin jugosllav të Kosovës”.

Dokumenti / Kujtime të piktorit rus Vladimir Krilov

Në vitin 1955 Shqipëria ka qenë anëtare e kampit socialist dhe mori ndihmë të konsiderueshme nga Bashkimi Sovjetik në të gjitha fushat e zhvillimit të saj.

Shenja më e vogël e bashkëpunimit ishte, për shembull, filmi shumë i mirë i xhiruar në [kinostudion] Mosfilm “Luftëtari i madh i Shqipërisë – Skënderbeu”.

RRETHANA TË VËSHTIRA

Por në udhëheqjen shqiptare tashmë ishin shfaqur tipare nacionalizmi ekstrem, të ëndrrës së Shqipërisë së Madhe. Marrëdhëniet mes vendeve tona u bë tendosura.

Në dhjetor 1955, babai im, Leonid Krilov, u emërua ambasador i Bashkimit Sovjetik në Republikën Popullore të Shqipërisë. Dhe shkuam në këtë vend interesant, të cilin vet shqiptarët e quanin vend shqiponjash.

Natyrisht, në kushtet e reja veprimtaria e ambasadorit sovjetik u zhvillua në rrethana veçanërisht të vështira.

Ambasada njoftonte në kohën e duhur Qendrën për vërejtjet e vazhdueshme të udhëheqjes së RPSH-së në adresë të qeverisë së BRSS-së mbi gjoja ndihmën e pamjaftueshme ekonomike, mbi tensionin e vazhdueshëm të dyshuar nga udhëheqja e RPSH-së në marrëdhëniet me Jugosllavinë.

PUSHKATIMI I SHTATZËNËS

Udhëheqja shqiptare informohej në kohën e duhur për qëndrimin negativ të qeverisë sovjetike për pushkatimet absurde, si fjala vjen, të ish-anëtares të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH Liri Gega [1918-1956 – “Dyrrah”-u], shtatzënë, për represionet ndaj ish-anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike dhe qeverisë [Në librin e tij më kujtime “Hrushovianët”, Enver Hoxha përshkruan këtë bisedë midis tij dhe Krilovit:

“Në fund…, si rastësisht, ambasadori sovjetik më pyeti:

– Do ta zhvilloni gjyqin e Dali Ndreut?

Sigurisht, kjo pyetje nuk ishte e rastit. Mesa dukej gjyqi dhe demaskimi i agjentëve të revizionistëve jugosllavë Liri Gega e Dali Ndreu nuk u pëlqente sovjetikëve.

– Gjyqi është përgatitur dhe do të bëhet – i thashë Krilovit – sepse ata janë tradhtarë dhe agjentë. Dali Ndreu dhe Liri Gega, pasi dështuan në përpjekjet e tyre për të vënë në jetë komplotin kundër Partisë dhe shtetit tonë, duke e ndier se për veprimtarinë e tyre agjenturore do të përgjigjeshin, tentuan të arratiseshin dhe u zunë në afërsi të kufirit tonë shtetëror. Veprimtaria e tyre armiqësore është tashmë plotësisht e vërtetuar dhe e pohuar edhe nga ata vetë. Dhe po të vazhdojë Titoja veprimtarinë e tij armiqësore, ne do ta publikojmë të vërtetën për këta agjentë, me fakte e me incizime në magnetofon. Ne mendojmë se nuk mund t'i durojmë më tepër titistët, që edhe duan të na ngulin thikën, edhe na akuzojnë.

– E kuptoj gjendjen tuaj – mërmëriti Krilovi dhe shkoi me bisht ndër shalë.” –“Dyrrah”-u].

Megjithatë, udhëheqja shqiptare priste me zemërim mendimin e MPJ-së BRSSS-së dhe në asnjë rast nuk e mori në konsideratë.

Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan.

Por kolektivi i ambasadës vazhdonte të kryente detyrat e veta. Kurse në punën e përditshme diplomatike L. I. Krilov-it gjithmonë e më tepër i duhej të përballonte përpjekjet e udhëheqjes shqiptare për të përdorur autoritetin dhe ndihmën e Bashkimit Sovjetik për qëllimet e veta nacionaliste.

NË ORËN NJË TË NATËS

Një herë, në orën një të natës, në kabinetin e Leonid Ivanoviç-it ra telefoni. Merrnin nga qeveria e Shqipërisë. Telefonuesi tha se në rezidencën e ambasadorit të BRSS-së kishte shkuar kryetari i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë M. Shehu.

Tirana është qytet i vogël, kjo do të thoshte se kryetari i qeverisë së Shqipërisë do të mbërrinte pas 15-20 minutash, domethënë afër orës dy të natës.

Çfarë kishte ndodhur?

Çfarë i bënte të domosdoshme konsultimet e ngutshme në një orë kaq të papërshtatshme?

Të gjithë u ngritën të alarmuar dhe M. Shehun e pritën sipas të gjitha rregullave të protokollit.

M. Shehu, pasi foli për miqësinë e madhe midis popujve sovjetik e shqiptar, propozoi të dorëzohej në qeverinë e BRSS-së një kërkesë e udhëheqjes së Shqipërisë.

Në ato vite, Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia kishin pasur marrëdhënie të ndërlikuara diplomatike – në prag konfrontimi akut. Dhe udhëheqja e Shqipërisë kërkonte t’i mbështeste në përpjekjet për t’i bashkuar Shqipërisë territorin jugosllav të Kosovës.

Kjo do të thoshte konflikt ushtarak me Jugosllavinë.

Leonid Ivanoviç-i ishte i detyruar të paraqesë kërkesën. Por ai këtu shprehu dhe mendimin e tij – konflikti ushtarak në Ballkan ishte krejtësisht i papërligjur, kurse për BRSS-në nuk kishte kurrfarë kuptim as nga pikëpamja politike as diplomatike.

Për më tepër që vetëm dhjetë vjet më parë përfundoi lufta më rëndë në historinë e njerëzimit!

Dhe ai, kuptohet, në letrën drejtuar qeverisë të BRSS-së do të shprehte mendimin e vet me të gjithë argumentet e nevojshme.

Marrëdhëniet me udhëheqjen e Shqipërisë nuk u forcuan!

SPEKTAKLI MADHËSHTOR NË PORTIN E DURRËSIT

Një nga aktet e fundit të marrëdhënieve miqësore midis BRSS dhe Shqipërisë ishte vizita e një skuadriljeje sovjetike të Detit të Zi në portin shqiptar të Durrësit [maj-qershor 1956. Ja ç’shënon diktatori Hoxha në “Ditar”: “E premte. 8 qershor 1956.

Për nder të admiralit Kasatanov [në atë kohë komandant i flotës ushtarake detare sovjetike në Detin e Zi] dhe personave që e shoqërojnë, të cilët para disa ditësh mbërritën për një vizitë shoqërore në Portin e Durrësit, dhamë një pritje në Pallatin e Brigadave. Nesër në mbrëmje jemi ftuar dhe do të marrim pjesë në pritjen që admirali sovjetik do të japë në selinë e ambasadës së Bashkimit Sovjetik në Tiranë”– “Dyrrah”].

Ky ishte në vetvete një spektakël madhështor. Ndërkaq babai im – ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i BRSS në një motoskaf me një flamurth personal iu afrua shkallës së anijes flamurmbajtëse / kryesore [kryqëzori “Mihail Kutozov” – “Dyrrah”] dhe filloi të ngjitej nëpër shkallë për të përshëndetur skuadriljen.

Dhe në atë moment, sesi mua një djali të vogël më dukej, në nderim të tim ati (natyrisht të flamurit të BRSS) sikur gjithë skuadrilja gjëmoi me përshëndetje zjarri në 24 breshëri nga topat e të gjitha anijeve dhe të të gjitha kalibrave.

Ne rrinim në breg, por kjo mbresë fëmijërore më mbeti në kujtesë gjithë jetën.

LARGIMI

Fërkimet në marrëdhëniet midis dy vendeve u intensifikuan, dhe udhëheqësit shqiptarë e kuptuan se ku ndodhej burimi i informacionit objektiv, parimor, i argumentuar, por i pafavorshëm për ta.

Gjatë një prej vizitave në Moskë, ata ngritën çështjen e zëvendësimit të ambasadorit të BRSS në Shqipëri.

Në mars 1957 Leonid Ivanoviçi u thirr në Moskë.

Pasi bëri një përgjithësim të materialit të grumbulluar gjatë punës në Shqipëri, Leonid Ivanoviç-i dërgon në Byronë Politike një memo mbi gjendjen në Shqipëri.

* Titulli në origjinal “Shqipëria – vend i shqiponjave”

** Përkthimi, titulli dhe nëntitujt janë të “Dyrrah”-ut.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/