Është përkujtuar sot në Durrës 83-vjetori i rezistencës ndaj pushtimit italian.

Në ceremoni merrnin pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, kryetari i qarkut Alfred Mullaraj dhe kreu i Këshillit Bashkiak Ani Dyrmishi, deputetë, veteranë dhe qytetarë durrsakë, të cilët kanë bërë homazhe pranë bustit të Mujo Ulqinakut, ku kanë vendosur edhe kurora me lule.

Fjalën e rastit në këtë ceremoni përkujtimore e mbajti drejtori i arsimit, kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare në Bashkinë e Durrësit Ardian Gurra, i cili deklaroi ndër të tjera:

“Ishim të varfër, por Shqipëria ishte një vend i pasur me gra dhe burra idealistë dhe ata ishin krismat e para antifashiste në Evropë, ndërkohë që e gjithë bota rrezikohej nga çizmja e fashizmit. Edhe njëherë, në këtë ditë të madhe përkujtimi, nder dhe mirënjohje për ta!

Kjo datë shënon aktin më madhor e patriotik në emër të lirisë, të asaj lirie që u arrit me gjak e sakrifica nga ata bij dhe bija, që duke bërë detyrën ndaj atdheut, ngritën lart dinjitetin kombëtar, ruajtën pavarësinë e tij dhe e rreshtuan Shqipërinë përkrah aleancës antifashiste”,- tha Gurra.

Ndërsa mbesa e Mujos, Ilda Ulqinaku, u shpreh e nderuar, që qyteti çdo vit kujton gjyshin e saj dhe patriotët e tjerë nga Durrësi, që dhanë jetën duke luftuar kundër pushtuesve italianë.

Heroi i Popullit, Mujo Ulqinaku dhe të gjithë patriotët e tjerë nga Durrësi por edhe nga qytete të tjera ishin të parët që e pritën me pushkë pushtuesin fashist më 7 prill 1939.

Në rezistencën kundër nazifashistëve u bashkuan në mënyrë masive banorët durrsakë dhe patriotë të ardhur nga çdo anë e vendit.