Një marshim proteste në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, për të ngritur zërin për dhunën ndaj grave dhe vajzave. Statistikat janë mjaft tronditëse, por ndërgjegjësimi për reagim thuajse mungon.

“Këtë 8 Mars mos të festojnë, të dalin të protestojmë, të marshojmë, të kërkojmë të drejtat tona, të rrisim ndërgjegjësimin e grave dhe vajzave, por edhe burrave e djemve që duhet të ngrihemi dhe të kërkojmë respektimin e grave dhe vajzave”, – tha psikologia Rosela Kasa, nga Shoqata Gender, Paqe e Siguri.

Pavarësisht se Durrësi renditet ndër qytetet me shifrat më të larta të dhunës në familje, pjesëmarrja e grave dhe vajzave në marshim linte shumë për të dëshiruar.

“Statistikat e qytetit të Durrësit për dhunën ndaj gruas vazhdojnë të mbeten tronditëse. Në komisariatin e policisë Durrësit vitin e shkuar janë regjistruar 882 raste të dhunës në familje, ndërsa në 2 muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 125 raste”,- bëri të ditur për mediat avokatja Erisilda Shpata.

Protestës iu bashkuan edhe disa studente të huaja nga universitetet e Parisit, të shqetësuara nga shifrat tronditëse të vrasjes së grave dhe vajzave në vendin tonë.

“Ne zgjodhëm Shqipërinë, sepse sipas Institutit të Statistikave në çdo tre javë një grua vritet nga burri, ish-partneri apo ndonjë familjar. Këto shifra janë shqetësuese, sepse çdo vit ato rriten, nuk ulen”,– tha Oleksandra Shevchenko, studente, e cila theksoi se gratë duhet të ndërgjegjësohen për të ngritur zërin fort për të drejtat e tyre.

Në çdo 8 Mars, apelet për më tepër vëmendje institucionale për forcimin e rolit të gruas në shoqëri nuk mungojnë.

“Çështjet e grave dhe të vajzave që lidhen me dhunën në familje duhen parë me prioritet, sepse realiteti tregon se mungesa e ndjeshmërisë gjatë trajtimit të tyre sjell pasoja, shpesh edhe fatale për gratë dhe vajzat”,- tha avokatja Erisilda Shpata.

Në shumë vende të botës, 8 Marsi kujtohet me protesta të fuqishme, si një traditë që ka nisur që nga fillimi i shekullit XX. 

M.B.