80-vjetori i themelimit të Teatrit Kombëtar në Shqipëri, është kujtuar në Arturbina, duke rivënë në skenë shfaqjen e parë që shënoi themelimin, “Topazin” e duke ekspozuar pjesë nga arkivat e mbetura për të. Imazhet e dokumentet përbëjnë sot dëshmitë e vetme, ndërsa dëshmitarët nuk jetojnë më dhe me ta, nis edhe bjerrja e kujtesës.

“Keni këtu një përmbledhje të plotë të dosjes së parë arkivore të shfaqjes së parë të Teatrit Kombëtar. Këtu mund të gjeni se si kjo shfaqje e nisi rrugëtimin e saj, si u formësua”, tha drejtori i TK-së, Indrit Çobani.

80 vite më pas, Topazi erdhi ndryshe. Sot edhe arti, gjuha e shprehitë janë ndryshe. Ndërsa themelimi i trupës në Tiranën e pasluftës sillte sfida, disa prej të cilave do të kuptoheshin më vonë me konsolidimin e sistemit politik që pasoi luftën, në kontekstet e reja sociale e politike, edhe teatri i sotëm ka sfidat e vetat, që shkojnë përtej buxheteve e politikave. Liria mundet të jetë krejt fluide, e kushtëzuar nga rrethanat e ndërvarësitë. Një plejadë artistësh në zë, të pranishëm në festën e 80-vjetorit, e përdorën skenën për të artikuluar, shqetësimet e tyre.

“Në teatër ke mundësi të njohësh gjithë botën dhe më e rëndësishmha të njohësh vetveten, gjëja më e rëndësishme për njeriun.”, – u shpreh aktorja Yllka Mujo.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, pati mesazhe për të ndarë sa i takon problematikave të artit. Duke përdorur postin e tij si titullar, siç rrallë bën në laminë e kulturës, ai adresoi në fjalim disa prej shqetësimeve.

“Një nga problematikat më të mëdha që kemi është se na mungon një klasë e vërtetë menaxherësh, një klasë e vërtetë drejtuesish artistikë, na mungon një klasë, e cila duhet të jetë gati edhe për sfidat e reja në botën e menaxhimit sa i takon skenës dhe janë specifike, shumë më delikate dhe komplekse.”, – tha Gonxhja.

Tetë dekada më pas, teatri përballet, së pari me mungesa hapësirash, së dyti me pamjaftueshmëri buxhetesh e së treti me rrjedhojat e mungesës së politikave afatgjata, vizioneve e zaptimeve që ndërsa tkurrin skenën edhe e zhbëjnë atë./News24