Kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako ka përkujtuar 83-vjetorin e rezistencës ndaj pushtimit italian.

Në postimin e saj në “Facebook”, Sako shkruan se në nder të heronjve dhe dëshmorëve të kësaj rezistence kanë zhvilluar një cermoni homazhi pranë bustit të atdhetarit Mujo Ulqinakut.

Postimi i plotë:

Kemi përkujtuar 83 vjetorin e rezistencës ndaj pushtimit italian.

Në ceremoninë e rastit zhvilluam homazhe pranë bustit të Mujo Ulqinakut, ku kemi vendosur edhe kurora me lule në përkujtim të heronjve e dëshmorëve të kësaj rezistence.

Në 7 prill 1939, atdhetarët shqiptarë, Mujo Ulqinaku dhe të gjithë ata ushtarakë dhe vullnetarë nga Durrësi e i gjithë vendi, bënë rezistencën e parë dhe i treguan botës se cili ishte vullneti i këtij populli duke e kthyer 7 prillin në ditën e parë të rezistencës antifashiste të popullit shqiptar, duke vendosur me sakrificën e me gjakun e tyre vendin tonë në anën e duhur të historisë. Sot është dita që të kujtojmë se qendresa shqiptare e 7 prillit, antifashizmi i këtij populli, e fituan vlerën e tyre kombëtare e ndërkombëtare qysh se Shqipëria u shpall fuqi aleate fitimtare. Historia e Shqipërisë merr kuptim e mburrje jo nga numri i ushtrive që e kanë rrezikuar, por nga fuqia e mbijetesës.

Prandaj ne në këtë ditë i drejtojmë nderimin tonë jo vetëm atij brezi që kundërshtoi pushtimin e huaj, jo vetëm atyre brezave që kanë qenë mburoja e fateve të popullit, por bashkë me ta edhe atyre mijëra e mijëra shqiptarëve, që ndërtuan paqen dhe rendin shoqëror, atyre që e kanë lënë gjurmën historike të vetes në trashëgiminë materiale e jomateriale shqiptare, në pamjen e dukshme e të padukshme të qytetit tonë e të gjithë Shqipërisë.