SHKUP – Ish ministri bullgar, tani drejtori i Muzeut Kombëtar të Sofjes, Bozhidar Dimitrov deklaroi se deri më tani 86 mijë maqedonas janë pajisur me pasaporta bullgare. 

“Për nënshtetësinë bullgare ka interes të madh në Maqedoni. Deri më tani 86 mijë maqedonas kanë fituar pasaporta bullgare, që përbën pothuajse10 për qind nga popullsia sllave në vend. Ky interes vazhdon edhe tani, me çka bie teza e propagandës maqedonase se pasaportën bullgare maqedonasit e kanë dashur vetëm për tw udhëtuar drejt Perëndimit. Para dy vjetëve BE i hoqi vizat për Maqedoni, por interesimi për pasaportën bullgare vazhdoi të jetë i madh,” deklaroi Dimitrov, njofton INA.

Dimitrov kohë më parë pati theksuar se Shkupi ka bërë tre provokime të fundit ndaj Bullgarisë, si një vend anëtar i BE-së.

"Fillimisht, ata bën skandal me përkatësinë etnike të Nikolla Vapcarov. Së dyti, publikuan se Ministria e tyre e Jashtme do të ndajë mjete për projekte për ruajtjen e identitetit kombëtar të pakicës maqedonase në Bullgari. Dhe së treti ata po shënojnë festën e Shën Klimentit, në prani të elitave të larta politike. Pikërisht ky personalitet është pishtari më eminent i Bullgarisë. Nëse kjo nuk është provokim, nuk e di se çfarë tjetër mund të jetë",- është shprehur Bozhidar Dimitrov.