Ndryshime te Teuta. Fillimi i javës është shoqëruar me “revolucion” në stafin e Edi Martinit. Zv.trajneri Gentjan Begeja dhe përgatitësi i portierëve Alfred Osmani janë shkarkuar nga detyra.

Klubi ka nxituar që të zgjedhë edhe pasuesit, duke afruar Bledar Hodon dhe Bledian Rizvanin. Këta të fundit kanë nisur tashmë zyrtarisht nga puna, ndonëse kujtojmë se bëhet fjalë për një rikthim.

I pari ishte pjesë e durrsakëve si futbollist, ndërsa i dyti ishte trajner portierësh deri në dhjetor të 2019-ës. Tashmë stafi i Teutës do përbëhet nga: Edi Martini, Bledar Hodo, Eduard Salillari dhe Bledian Rizvani.Teuta ka humbur ndjeshëm terren në renditjen e përgjithshme.

Mjaftoi ajo humbje në kryeqytet me Tiranën dhe barazimi në shtëpi me Luftëtarin, që të zbriste në vendin e 6-të dhe komplikuar ndjeshëm objektivat sezonalë. Dashur pa dashur, ndeshja e kësaj jave shikohet si provë vazhdimësie.Kundërshtar kanë Vllazninë, që gjithashtu vjen nga rezultate jo fort të mira. Shkodranët konsiderohen “shans” për durrsakët, pasi gjithnjë me ta nisin edhe kthesën.

Dhe që të fitosh, sigurisht që duhen golat. Ndaj vëmendja është e gjitha nga sulmuesit. Nuk është se deri më tani nuk kanë shënuar, por jo mjaftueshëm për të marrë maksimumin e pikëve. Nga Idelino Gomes Kolubali dhe Rubin Hebaj, pritet shumë më shumë duke filluar nga java e 22-të.Teuta ka vijuar procesin stërvitor në dy fronte.

Në një anë u punua për ndeshjen me Erzenin në Kupë dhe në tjetrën për kampionatin me Vllazninë. Në Durrës kanë dy javë pa një fitore, ndaj kthesa është domosdoshmëri. Mungesat janë ndierë jo pak, pasi Edi Martinit i është dashur të bëjë llogaritë pa të dëmtuarin Renato Arapi në mbrojtje dhe të skualifikuarin Arbër Çyrbja në mesfushë. I dyti rikthehet, ndërsa për të parin mbetet për t’u parë gjendja fizike. Skuadra ka punuar më së shumti në kushte loje, teksa trajneri e ndau grupin në dy pjesë.

Ra si zakonisht në sy “lufta” sportive, pasi të gjithë futbollistët po kërkojnë një vend titullari. Taktika mori vëmendje të madhe, ndërsa shkodrani i stolit kërkonte më shumë presion në qarkullimin e topit në distanca të ngushta dhe situata të kundërsulmit qoftë aktive edhe pasive. Në mbyllje të seancës stërvitore është bërë edhe një provë për formacionin.