Kryedemokrati Lulzim Basha e quan padinë e kryeministrit Edi Rama ndaj Ramush Haradinajt një perversitet të shëmtuar anti-kombëtar.

Basha shkruan në Facebook, se ky akt i ulët na turpëron të gjithëve dhe meriton refuzimin dhe revoltën legjitime ndaj një kryeministri të dështuar.

‪”Pseudo-padia e Edi Ramës ndaj kryeministrit të Kosovës është një perversitet i shëmtuar anti-kombëtar. Është turp i pakapërdishëm që Ramush Haradinaj, pas gjakut të tij dhe familjes së tij për çlirimin e Kosovës, pas betejave me akuzat e montuara të Beogradit, të përballet me pasojat e degjenerimit dhe vasalitetit të Edi Ramës. Ky akt i ulët që na turpëron të gjithëve meriton refuzimin dhe revoltën legjitime ndaj një kryeministri të dështuar fund e krye dhe ndaj falimentimit të tij politik dhe moral para Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar.‬”