Teuta nuk ka ndërmend të ndalet në këtë merkato. Pasi mori një gjigant për sulmin, tashmë po tenton që të blindojë mesfushën. Dhe duket se e kanë gjetur të duhurin. Këtë herë nuk e kanë kthyer vështrimin jashtë vendit, por kanë qëndruar brendapërbrenda Shqipërisë. Në planet e durrsakëve është një ish.

Bëhet fjalë për Bruno Ditën, i cili që pas dëmtimit të Gjergj Muzakës ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te Skënderbeu. Mesfushori shkatërrues, i cili në kushte emergjence ka bërë edhe qendërmbrojtësin në Korçë, mund të jetë blerja e dytë e rëndësishme e skuadrës së Edi Martinit.

Besojini apo jo, por rikthimi i mbrojtësit në Durrës është shumë pranë. Ai është drejt mbylljes së bashkëpunimit me 8 herë kampionët e vendit. 26-vjeçari ka depozituar zyrtarisht një kërkesë në FSHF, ku ka kërkuar edhe zgjidhjen e kontratës me Skënderbeun.

Kujtojmë se lojtari i dalë nga Dinamoja ka hyrë në sezonin e tretë me bardhekuqtë. Ai ishte pjesë e Teutës deri në qershor të 2017-ës dhe vendosi që të shkonte në Korçë, atje ku gjatë kësaj kohe ka luajtur 69 ndeshje (në elitë) dhe ka shënuar 9 gola.