Nga Andi Bushati

Ilir Meta edhe një herë ka bërë detyrën. Në kufijtë e skajshëm kohorë, ai i ka kthyer parlamentit ndryshimet ligjore në kuadër të paketës antishpifje, duke rakorduar qëndrimet e tij me ato të artikuluara në kor nga ndërkombëtarët.

Ashtu si Këshilli Europës, BE, OSBE dhe shoqatat më prestigjoze të lirisë së shtypit në botë (Linku poshte), presidenti ka dënuar përpjekjen e enteve qeveritare për të bërë rolin e gjykatave, gjobat jo proporcionale që shkojnë deri në mbylljen e mediave online, duke theksuar se këto “shtrembërime” mund të shpien deri në shkeljen e parimeve themelore kushtetuese, në dëm të interesit të publikut për tu informuar dhe në cënimin e demokracisë.

Por, pavarësisht se Edi Rama në nismën e tij putiniano –erdoganeske për të tredhur mediat kundërshtare, bëri si kurrë ndonjëherë më parë kundër vetes faktorin ndërkombëtar, ndonëse ai ka përballë edhe gazetarët e lirë, edhe opozitën edhe presidentin, ai nuk ka ndërmend të tërhiqet. Paketa antishpifje pritet të votohet pa ndonjë ndryshim esencial.

Dhe kjo është në logjikën e gjërave. Sepse në një vend ku parlamenti është kthyer në një teatër kllounësh një ngjyrësh, ku bashkitë janë një koalicion i banditëve të rrugës me rilindjen, ku asnjë institucion i pavarur nuk ka mbetur në këmbë, ku edhe presidenti, ende i pakapur, është në procedurë shkarkimi, nuk mund të ëndërrosh për një media të pavarur. Sepse nuk ekziston asnjë regjim monist në botë që të bashkëjetojë me lirinë e shprehjes.  

Edhe zhurma që po bëhet tani për dy nismat e fundit të Ramës është pak e ekzagjeruar. Ajo është e tillë sepse regjimi po kalon nga një kapje okulte në një dhunë ligjore ndaj mediave.

Por, realisht liria e fjalës pothuajse ka vdekur me kohë. Ajo duket qartë në mosreagimin e pushtetit të katërt ndaj propagandës me kaseta të Erion Velisë. Ajo preket në transmetimet “pa çensurë” të ERTV. Ajo shikohet në shfaqen e çdo mufke bajate të “bamirësit” Rama tek banorët e dërrmuar nga tërmeti, ndërkohë që nuk ka asnjë investigim serioz për vdekjen e paralajmëruar të atyre që u lanë të vriteshin në pallatet e Thumanës. Ajo është konkrete, po të sjellësh ndërmend mbylljen brutale të emisioneve si “Të paekspozuarit”, që i tregoi qytetarëve dy skandale të pushtetit brenda një sezoni të vetëm.

Mjafton të kujtosh se, për herë të parë brenda këtyre tre dekadave, të gjithë televizionet e mëdhenj janë shndërruar në shkarkuese të epsheve gojore të kryeministrit, për të kuptuar se në ç’pikë kemi arritur.

Të tërë duhet të jemi të ndërgjegjshëm se pa përmbysur regjimin e një njeriu të vetëm, nuk mund të kemi as media të lira, as institucione të pavarura dhe as drejtësi të ndershme dhe të barabartë për ç’do kënd.

Prandaj edhe reagimi i fundit i Metës, sa do i duartrokitshëm qoftë, sado në sinkron me interesin publik apo me vërejtjet e ndërkombëtarëve që të duket, nuk ka asnjë vlerë më shumë sesa mbajtja shënim dhe arkivimi i krimeve të këtij pushteti.

Në të kundërt, ai është edhe një dëshmi më tepër, se asnjë masë ligjore, asnjë akt demokratik, nuk mund ta ndalë makinerinë e së keqes që ka marrë rrugën e një pushteti autokratik. Për t’a frenuar atë duhen zgjidhje të tjera.

Ndaj, deri atëherë nuk duhet të ushqejmë iluzionin se liria e medias mund të mbrohet në presidencë.

/Lapsi.al