Me diskutime me tone të larta nga ana e përfaqësuesve të sektorit të peshkimit në Durrës u karakterizua takimi i mbajtur në ambientet e Interklubit të portit,

Takimi u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, që kishte ftuar përfaqësues nga flota e peshkimit si dhe autoritetet përgjegjëse për licencimin, monitorimin dhe kontrollin e këtyre anijeve, në kuadër të procesit të rinovimit të certifikatës së regjistrimit të mjeteve lundruese.

Për sektorin e peshkimit, kjo çertifikatë 5-vjeçare konsiderohet një tjetër barrë financiare në një përiudhë, kur pjesa dërrmuese e anijeve nuk dalin në det dhe flota po kalon një krizë të thellë.

Përgjegjësi i Kontrollit Shtetëror të Flamurit, pranë Drejtorisë së Përgjithshme Detare Ermal Tushaj evidentoi disa nga problematikat e konstatuara në mjetet lundruese, të cilat sipas DPD-së lindin domosdoshmërinë e rinovimit të çertifikatës së regjistrimit çdo 5 vite përmes një procedure në e-Albania.

Në këto kushte, kur rinovimi i çertifikatës së regjistrimit u prit me kundërshti, Muharrem Trupja, Drejtori i Flamurit dhe Sigurisë pranë DPD-së, i kërkoi të pranishmëve që kërkesat e tyre t’i parashtrojnë në rrugë elektronike.

Prej muajsh, flota e peshkimit në Durrës ndodhet në vështirësi të shumta, edhe për shkak të rritjes së çmimit të naftës dhe mungesës së subvencionit nga ana e shtetit. Për këtë arsye, çdo barrë financiare që u shtohet konsiderohet nga pronarët e peshkarexhave si një hap më shumë që po i shtyn drejt mbylljes së aktivitetit.

M.B.