Në prag të festave të fundvitit tragetet e linjave Bari – Durrës dhe Ankona – Durrës do të kryejnë 8 lundrime më shumë, ndërsa katër lundrime të tjera janë parashikuar gjatë ditëve të kthimit të udhëtarëve drejt Italisë. Gjatë kësaj periudhe në portin më të madh të vendit mbërrijnë mjaft bashkatdhetarë që festojnë pranë familjeve në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni.

Nga të dhënat e Qendrës së Informacionit, mësohet se që nga dita e shtunë (dt. 21.12.2019) për katër ditë radhazi, tragetet do të realizojnë nga dy lundrime në ditë, duke lehtësuar transportin e udhëtarëve dhe automjeteve nga portet e Barit dhe Ankonës drejt Durrësit.

Në linjat detare nga Durrësi aktualisht lundrojnë 6 tragete dhe numri i përgjithshëm i lundrimeve shtesë të programuara arrin në 12.

Numri i përgjithshëm i udhëtarëve që shfrytëzojnë tragetet në këtë periudhë pëson një rritje të ndjeshme. Vetëm sot paradite, dy tragetet që mbërritën nga Bari sollën në Durrës 1,772 udhëtarë me 328 autovetura. Nga të njëjtët tragete zbarkuan gjithashtu 101 kamionë dhe 57 trailerë.