Brenda apartamenteve të ndërtuara nga Hazir Gashi…
Mbi truallin e ish-Uzinës së Radiotelevizionit në Durrës janë ngritur pallate 13 katësh në lagjen nr.17.
Këto pallate të cilat janë ndërtuar nga ish-deputeti i Partisë Socialiste, Hazir Gashi kanë pësuar dëme të mëdha nga tërmeti i 26 nëntorit.
“DurrësLajm” ka qenë brenda apartamenteve që iu janë vënë shiritat e bllokimit pasi janë shpallur të pabanueshme deri në një inspektim të dytë.
Siç duken edhe në video, nga kati i parë e deri në ato të sipërme dëmet në banesa janë katastrofike.
Banorët tregojnë se gjthë jetën kishin punuar për të blerë një shtëpi e cila ju prish brenda 30 sekondave.
“Nuk ka ngelur asnjë gjë, asnjë orendi, janë shkatërruar komplet”, thotë e zonja e shtëpisë ndërsa shprehet se tërmeti nxorri në pah se si ka punuar firma gjatë ndërtimit të pallatit.
Kujtojmë që në fillim të muajit dhjetor, biznesmeni Gashi iu përgjigj (lexo këtu) shqetësimit të banorëve të Durrësit të cilët mbetën pa shtëpi.
Teksa hodhi poshtë mundësinë që kompania e tij të ketë falimentuar dhe se nuk do të marrë gjë përsipër, Gashi shprehej se “pas përfundimit të kontrollit teknik nga ekspertet çdo gjë do rregullohet dhe do t’i rikthehet kushteve optimale për jetes. Kjo kërkon kohën e nevojshme.”





