Momente të tensionuara në derën e Bashkisë së Durrësit paraditen e sotme, qytetarët përplasen me efektivin e Policisë Bashkiake.
Me letra në duar, qytetarë të shumtë në qytetin bregdetar, të cilët janë prekur nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit shfaqen çdo ditë pranë bashkisë së Durrësit për t’i dhënë një zgjidhje problematikave të tyre që tashmë njihen nga të gjithë, strehimi dhe rindërtimi i banesës së shembur.
Por problematikat e të prekurve nga tërmeti kanë shkaktuar situata të tensionuara e konfliktuale siç vihet re edhe në videon e mbërritur në redaksinë e “DurrësLajm”.
Qytetarët të lodhur nga pritja në radhë, janë konfrontuar me efektivin e policisë që qëndron në hyrje të Bashkisë së Durrësit pasi këmbëngulin të futen brenda këtij insititucioni.
“Hape derën, jam e sëmurë me zemër unë”, dëgjohet të bërtasë një banore ndërsa merr përpara efektivin e vendosur për menaxhimin e hyrje-daljeve në bashki dhe realizon qëllimin e saj.
Tërmeti me magnitudë 6.4 i shkallë Rihter fatkeqësisht mori 51 jetë, plagosi qindra persona dhe la pa shtëpi mijëra të tjerë.





