Ndonëse nuk i presim me gjallërinë e një viti më parë për shkak të tragjedisë që vendi kaloi më 26 nëntor, festat e fundvitit janë pranë.

Ditët ecin në kalendar, pavarësisht se Durrësi e durrsakët kanë përjetuar shumë këto kohë.

Qyteti u lëkund fort e shpesh, disa i lëshoi dhe shumë i  mbajti, u braktis dhe u ringrit sërish, e ndërsa tani, Durrësi ka nisur të zbukurohet e dekorohet.

Në sheshin “Liria” dhe rrugët kryesore të qytetit bregdetar janë vendosur zbukurimet simbol të festave të fundvitit, dritat ndriçuese që na kujtojnë se slita e babagjyshit me drerë ka nisur fluturimin dhe faqja e 2019-ës, po shkon drejt fundit.

Prej dy ditësh, ndërmarrja e dekorimit të qytetit ka nisur punën për të sjellë atmosferën festive të Krishlindjes dhe Vitit të Ri.

Edhe pse në rrugë të ndeshin shpesh sytë shiritat nëpër pallate e ndërtesa apo grumbuj inertesh, sërish Durrësi i veshur nën petkun e bukur të festave, të shtyn të shpresosh për një vit të ri më të mbarë dhe me ditë të qeta.

G.D.