Nga Mentor Kikia
Z.Kryeministër, mos lejo rindërtimin e barbarisë!
I bëra publikisht ministrit Çuçi, që drejton operacionin, një pyetje që ma bënë banorët në Thumanë: Çfarë shtëpishë do të na ndërtojë shteti? Dhe ministri u përgjigj, duke thënë se çdokujt do ti ndërtohet e njëjta banesë, pronë, që i është shembur. Dhe kjo është e drejtë!
Por a nënkupton kjo, se në po të njëjtën mënyrë, do të rindërtohen edhe ato hotele që u shembën nga tërmeti apo, më pas, nga IKMT si të rrezikshme? Nëse po, unë refuzoj dhe kundërshtoj publikisht, që qoftë edhe një qindarkë e taksave të mia, apo e donacioneve të dhuruara me shumë bujari nga njerëz të mirë, të përdoren për të ngritur në këmbë objekte, që qartësisht rezultojnë në shkeje të rregullave teknike të ndërtimit dhe të ligjit.
Një hotel i ngritur në rërë dhe katër kate pa leje, mesaduket shndërruar në pronë më pas me ndihmën e ligjit të paligjshëm të legalizimeve, vrau dy të rinj që po flinin në katin e parë. Pronari i tij, dhe shumë pronarë të tjerë, duhet të dalin para drejtësisë. Prokuroria u nxit nga një thirrje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të deklaruar nisjen e një hetimi në zonat ku pati viktima nga tërmeti, Durrës e Thumanë. Besoj se duhet të kishin nxituar pak më shumë, duke mbledhur prova për cilësinë e ndërtimit në disa ndërtesa që u shembën nga IKMT si të rrezikshme. Kjo shton mosbesimin e të bërit drejtësi.
Inxhinierë të huaj që janë përfshirë në procesin e ekspertimit, kanë deklaruar publikisht se cilësia e ndërtimit është shumë e dyshimtë. Gjithësesi, duhet të presim të shikojmë nëse do të bëhet drejtësi ndaj atyre që ndërtuan pallate në rërë dhe ku studimet gjeologjike, studimet sizmike dhe aktet e vleresimit teknik u firmosën në kafene.
Megjithatë, vendimi i qeverisë, që kostot e riparimit në pallatet që rezultojnë me probleme teknike, tua ngarkojë vetë kompanive që i kanë ndërtuar, duhet përshëndetur. Eshtë gjëja e duhur!
Por doja ti drejtohesha publikisht kryeministrit!
Zoti kryeministër, mos lejoni që procesi i rindërtimit, të paktën në zonën turistike në Durrës, të jetë ringritja në këmbë e paligjshmërisë që shkaktoi edhe viktima, dhe e barbarisë urbane, tashmë me themele dhe kolona më të forta. Le të jenë këta njerëz që humbën jetën dëshmorët e një epoke që duhet të marrë fund sot.
Për 30 vjet nuk ishim në gjendje të ndalim forcën e paligjshmërisë dhe korrupsionit, të ndërtojë edhe pranë vijës së ujit në gjithë bregdetin tonë. Tashmë, kur tërmeti na dha ca mësime, edhe pse me kosoto tragjike, ne nuk duhet të lejojmë të rindertojmë në të njëjtim vend.
P.S: Ata që ndajnë të njëjtin shqetësimin me mua, i ftoj ta shpërndajnë këtë letër, si një formë e reagimit qytetar.