A e keni harruar marshimin funebër të Edi Ramës në rrugët e Parisit me tre lapsa në xhep? Atëherë kryeministri ndonëse u xhelozua se vëmendjen ia morrën katër klerikët shqiptarë që parakaluan përkrah tij në nderim të viktimave të Charlie Hebdo, arriti të tërheqë interesin e mediave ndërkombëtare.
Pasi, sipas tyre, me këtë gjest simbolik shefi i qeverisë së Tiranës kishte gjetur më mirë se kushdo nga liderat europianë, simbolikën për tu reshtuar pro lirisë së fjalës, lirisë së shprehjes dhe asaj artistike. Natyrisht, e përjavshmja satirike franceze që u godit rëndë nga aktet e terrorizmit islamik, nuk qe një shembull i gazetarisë së pa kritikueshme. Qëndrimet e saj shpesh islamofobe nuk i ndihmonin bashkjetesës në komunitet dhe harmonisë sociale.
Por, duke marshuar në kujtim të viktimave të saj, Edi Rama dhe udhëheqësit e tjerë botërorë dëshmonin se liria e fjalës dhe e shprehjes në një botë demoktatike janë të shenjta edhe kur ti nuk bie dakord me to.
Në emër të këtij parimi Rama u shndërrua në star një ditor me gjetjen e tij të tre lapsave bardhë, blu e kuq, në xhepin e xhaketës.
Por, titujt që iu deshën për tu bërë lajm i gazetave botërore, kryeministri shqiptar po i përdor si letër higjenike në vendin e tij.
Me të rënë fatkeqësia e 26 nëntorit, ai është hedhur në një sulm të paprinciptë ndaj mediave që nuk i pëlqejnë. Dhe këtë herë jo vetëm me fjalë, duke u zënë si grua e ligë në studiot televizive, por me hapa konkrete. Ai me një zell prej diktatori po e përdor si kamzhik gjendjen e jashtëzakonshme.
Rama kërcënoi në vetë të parë disa herë publikisht se qe ai që do të mbyllte portalet. Pra as një komision apo një gjykatë, por vetë ai lideri suprem.
Dhe vënia në jetë e kërcënimit u bë shpejt realitet.
Fillimisht u bllokua në Facebook një editorial i Gazetës Dita, kritik ndaj qeverisë. Pastaj u kalua në një akt tjetër të paligjshëm me bllokimin e aksesit të portalit Jeta osht Qef, i cili raportonte për abuzimet me ndihmat.
Dhe kulmi u arrit me urdhërin përa rrestimin e një vajze që kishte ripostuar një shkrim që nuk i shkonte për shtat qeverisë. Këto skandale së bashku me urdhrat absurdë të ministrisë së mbrojtjes për lajmet që mediat duhet të publikojnë me detyrim, tregojnë një rrëshqitje të rrezikshme drejt një regjimi që shtyp liritë duke përfituar nga gjendja e jashtëzakonshme. Edi Rama po e përdor atë për të goditur mediat që mendojnë ndryshe nga ai, ashtu sikurse pati predikuar prej vitesh, kur ende nuk kish pasur asnjë tërmet.
Duke demostruar kështu se pas aktorit që marshonte me tre lapsa në xhep rrugëve të Parisit, fshihet një autokrat sharlatan që nuk e duron dot kritikën. /LAPSI.AL