Policia dhe Prokuroria e Tiranës përmes përgjimeve telefonike, mesazheve dhe vëzhgimeve në terren, kanë vënë në pranga Hermes Nikajn, njohur ndryshe si "Zogu i Tiranës", së bashku me dy persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk dihet ende. Prokuroria i akuzon për shfrytëzimin e vajzave për prostitucion kundrejt vlerave 100-500 euro.

Hermes Nikaj, i cili dyshohet të ketë pasur rolin e menaxherit, përdorte qendrat estetike, ku veç shërbimeve të qendrës, klientëve u ofroheshin edhe shërbime nga vajzat e shfrytëzuara për të kryer marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës. Po ashtu, mësohet se ky grup shfrytëzonte vajzat edhe në clube të ndryshme të Tiranës, por edhe si eskortë, vajza që shoqërojnë personazhet VIP jo vetëm për marrëdhënie seksuale me lekë, por i shoqërojnë edhe në udhëtime, hotele, me vlera më larta financiare.

Mësohet se në disa prej vëzhgimeve të bëra në terren, sipas prokurorisë, rezulton se Nikaj përfshihej edhe vetë në marrëdhënie seksuale në grup.

Hermes Nikaj ka edhe një qendër të vetën estetike të ndodhur në Rrugën e Durrësit në Tiranë, "Te Zogu", por ende nuk dihet nga hetimet nëse edhe në qendrën e tij estetike shfrytëzonte vajza për prostitucion

Hermes Nikaj është një personazh mjaft i njohur i ekranit dhe modelingut ndërsa ka punuar në disa emisione mëngjesi.