Policia ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshem të një konflikti në një familje në Lezhë.

Mësohet se pas disa orësh ndjekjeje është kapur në malin e Troshanit 36-vjeçari që kanosi vëllain me armë zjarri.

Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov me 2 krehëra dhe 354 fishekë luftarakë.

NJOFTIMI I POLICISË

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:

E.P., 36 vjeç, banues në fshatin Troshan, Lezhë.

Ky shtetas, në oborrin e banesës, për motive pronësie, ka kanosur me armë zjarri vellain e tij, shtetasin K.P.,30 vjeç, duke qëlluar në ajër disa herë.

Policia e Lezhës mënjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Troshan, Lezhë, ka konflikt në familje dhe të shtëna me armë zjarri, ka shkuar në vendgjarje.

Në momentin që ka parë Policinë, 36 vjeçari ka hedhur armën dhe është larguar me shpejtësi nga banesa.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje dhe pas disa orësh ndjekjeje, kanë mundur të bejnë lokalizimin dhe kapjen e shtetasit E.P. në malin e Troshanit, Lezhë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua dhe arma e zjarrit automatik dhe 354 fishekë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme për veprat penale "Kanosja" dhe "Armëmbajtje pa leje".