Kapitaneria e Portit të Durrësit njofton se për shkak të motit të paqëndrueshëm që ka përfshirë Adriatikun Jugor, janë krijuar vonesa në nisjen e trageteve nga Porti i Barit në drejtim të Portit të Durrësit.

Konkretisht, trageti i linjës Bari-Durrës (Aurelia) nuk është nisur mbrëmjen e kaluar nga Porti i Barit, deri në qetësimin e   kushteve meteorologjike. Ndërkaq, edhe tragetet e parashikuar për t’u nisur mbrëmjen e sotme nga Bari dhe Ankona në drejtim të Portit të Durrësit, kanë pezulluar përkohësisht lundrimet, deri në përmirësimin e situatës së motit.

Trageti “Rigel III”, “AF Francesca” që kanë parashikuar të lundrojnë mbrëmjen e sotme nga Porti i Barit, nuk do të nisen në oraret e parashikuara.

Po ashtu edhe trageti i linjës Ankona-Durrës, “AF Marina”, nuk do të lundrojë sot në drejtim të Durrësit. Vonesa do të ketë edhe në lundrimet nga Durrësi në drejtim të Barit/Ankonës. Kapitaneria ka kërkuar të qëndrojnë në vendstrehime të gjitha mjetet lundruese, ndërsa puna është ndërprerë në ngarkim shkarkimin e anijeve për shkak të erës së fortë dhe shiut.

Kapiteneria, Autoriteti Portual Durrës, agjencitë dhe institucionet e tjera detare, janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës së krijuar.