Na ishte dikur PS-ja e Durrësit. Na ishte dikur vërtet, sepse nuk mund të themi që është më. Të paktën jo në formën që e kujtojnë socialistët durrsakë, që nuk përqafuan trendin e ri, Rilindjen, e cila prej vitesh është ulur këmbëkryq në partinë që qeveris vendin.
E çuditshme apo jo, por në këto ditë socialistët durrsakë ndihen edhe më keq se në kohën e Saliut, sepse në atë kohë e dinin të paktën që ishin në opozitë, kurse tani i kanë nxjerrë në opozitë duke qenë në pushtet!
Rama dhe njerëzit e tij po e shkatërrojnë nga brenda duke larguar nga postet drejtuese ata që njihen si mbështetës të Vangjush Dakos apo duke i përjashtuar komplet nga pozicionet me rëndësi. Emrat e ardhur nga Tirana nëpër drejtori të ndryshme në qytet janë dërguar direkt nga kryeministria, për të dhënë “eksperiencën” e tyre të vyer në Durrës.
PS-ja e Durrësit ka në dorë tani vetëm “çelësat e kashtës”, sepse askush s’ja merr mendimin. Edhe disa prej atyre që janë larguar muajt e fundit dhe deshën të ngrinin zërin preferuan më mirë mos të flisnin, për të mos qenë në të ardhmen martir për ideal të partisë! Rasti i ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, që sot iu lëshua mandati i arrestit sepse guxoi dhe veproi kundër partisë duke shkarkuar dy nënkryetarët, u tregon më së miri socialistëve durrsakë se është koha të heshtin dhe të presin kohë më të qeta.
Edhe PD-ja e Durrësit i ka lënë rehat! Demokratët që e shohin ende të largët ditën kur do të vijnë në pushtet (me fuqizimin çdo ditë e më shumë të Ramës, ky duket mision i pamundur), të paktën ngushëllohen me faktin se edhe rivalët e tyre të përhershëm kanë mbetur si peshku pa ujë, larg tortës së pushtetit.
PS-ja është prej muajsh në proces zgjedhor, por më shumë sesa një proces i shëndetshëm për forcimin e partisë në të gjitha strukturat e saj, duket se po shërben si një proces për ndryshimin e elitës politike. Po punohet për të larguar socialistët me kontribute dhe me shumë vite anëtarësim dhe zëvendësimin e tyre me persona kameleonë, pa shtyllë kurrizore dhe pa asnjë skrupull moral, për të ngritur zërin dhe për t’i thënë JO vullnetit të komandantit suprem.
“Gangsterët” me kostum po marrin në dorë gjithçka, madje dhe listat me kandidatët për delegatë në Kongres, që do ju dërgohen bazës të kopsitura mirë dhe me orientime të qarta se për kë do të votohet. Ajo që në takimet në Elbasan apo në Tiranë u propagandua si një përgatitje e PS-së për të siguruar një mandat të tretë tingëllon më shumë një përgatitje për të gllabëruar çdo gjë, për të kontrolluar çdo gjë, për të mos bërë dallimin më mes socialistëve e demokratëve, por për t’u dhënë në duar lëpirëseve të kryeministrit Durrësin, Tiranën, Shqipërinë…
Ashtu siç ju servir bazës socialiste një emër për kryebashkiak në minutat e fundit, që në shumicën e bashkive nuk përfaqësonte vullnetin e shprehur nga anëtarësia, ashtu po serviren ca “gjoja” zgjedhje brenda PS-së për të ristrukturuar partinë. Një ristrukturim që më tepër i ngjan një gjuetie shtrigash, e cila do të shërbejë për të spostuar dhe larguar ata që nuk gëzojnë më mbështetjen e Ramës. Qeveria aktuale është dëshmia më e qartë se si do të jetë kryesia e ardhshme e PS-së që do të dalë nga Kongresi i janarit të vitit të ardhshëm. Një kryesi që nuk do të përfaqësojë socialistët, por rilindasit që kanë kapur PS-në.
Në Durrës po ndodh e njëjta gjë si në Shkodër, veçse në një formë tjetër. Në Shkodër, Rama u kërkoi drejtorëve të jepnin vetë dorëheqjen, në Durrës po i largon njëri pas tjetrit. Në Shkodër largoi Ditmir Bushatin, në Durrës po i “pret krahët” Vangjush Dakos. Në Shkodër shkriu degën lokale, në Durrës po e “tredh” pa i dhënë mundësi as të hapë gojë e të ankohet.
Me ç’duken gjasat, edhe në Durrës socialistët do të konvertohen në rilindas nëse do duan të mbijetojnë në politikë. Ata që s’do t’i nënshtrohen transformimit do takohen me rivalët e tyre demokratë dhe do të kujtojnë në netët e gjata të dimrit përrallën: Dikur, kur ishim në pushtet, na llogarisnin edhe ne…
M.B.