Përmbytjet e rrugëve dhe lagjeve të Durrësit dy herë brenda kësaj jave rikthyen edhe njëherë në vëmendjen e durrsakëve katrahurën që është bërë me qytetin tonë në gjithë këto vite. Të shumtë ishin ata që revoltën për situatën kritike të krijuar në shumë zona të qytetit e shfrynë në rrjete sociale duke drejtuar gishtin drejt atij që për 12 vite me rradhë qeverisi këtë qytet, Vangjush Dakos. Mbrëmjen e së mërkurës, trashëgimia që la pas Dako në qytetin 3000-vjeçar ishin rrugët që notonin në ujë, në shumë prej të cilave mund të përdoreshin gomonet për të garantuar transport të sigurt për qytetarët!

Por nëse do të ishte vetëm përmbytja e rrugëve, kjo nuk do të përbënte çudi për ish-numrin një të Durrësit, pasi të shpeshta kanë qenë ato gjatë kohës kur qëndronte në karriken e kryebashkiakut. Më shumë sesa përmbytja e rrugëve dhe revolta online e qytetarëve, Dakon po e trazon “përmbytja” e tij. Që nga koha kur dorëzoi çelësat e qytetit, Dako ka qenë dëshmitar në vetë të parë për bjerrjen e pushtetit të tij. Megjithëse vazhdon të jetë anëtar i kryesisë së PS-së (post që asnjë socialist më parë nuk e ka mbajtur në Durrës) dhe koordinator qarku, “goditjet” ndaj besnikëve të tij vazhdojnë. Superman-it Gjush po i priten krahët, pavarësisht se në Durrës ai vazhdon ta kontrollojë ende partinë. Lëshimi i bashkisë në duart e pasardhëses Valbona Sako, veprim që besnikët e tij e shohin si të vetmin gabim që Dako bëri gjatë kohës kur ishte në pushtet, është shoqëruar edhe me largimin e disa mbështetësve të tij nga poste drejtuese që kanë mbajtur apo emërimi i të importuarve nga Tirana në vend të njerëzve të tij.

Në Partinë Socialiste është praktikë e njohur largimi me “lezet” i njerëzve, që nuk gëzojnë më dashurinë e kryeministrit Edi Rama. Ndëshkimi i Vangjush Dakos nuk po vjen nga Durrësi. Të ishte për bazën socialiste, ai do ishte akoma kryetar bashkie. Ndëshkimi i Dakos po vjen direkt nga lart, nga njerëzit e Ramës.

Pasi e përdori si mashë për të realizuar Rilindjen Urbane në Durrës, projektet e të cilës gllabëruan miliona euro të taksapaguesve durrsakë dhe ua vështirësuan edhe më përditshmërinë qytetarëve, pasi i vuri mbi kurriz të “fortët” që kanë hyrë në një garë të paparë për të rrëmbyer gjithçka munden në Durrës (tokë dhe det bashkë), pasi i mori edhe bashkinë për t’ia përdorur kundër, Rama do ta zhveshë Dakon edhe nga funksionet partiake, gjë që pritet të ndodhë në Kongresin e PS-së që do të mbahet në janar të vitit të ardhshëm.

Më shumë sesa nga deklaratat e ambasadës amerikane, që i rikujtoi edhe njëherë opinionit publik se Dako ishte i përjashtuar përgjithmonë familjarisht nga marrja e vizës amerikane, më shumë sesa përgjimet e dosjes 339 që u publikuan në të përditshmen gjermane “Bild”, më shumë sesa prokuroria apo SPAK-u i famshëm që pritet të ngrihet, Dakos e keqja po i vjen pikërisht nga ai që dikur e mbante në krah të djathtë dhe të cilit i paguante faturat e udhëtimeve jashtë shtetit. Rama ka treguar ndër vite se të flak, kur nuk i duhesh më. Rastet Tahiri, Xhafaj etj janë dëshmi jo e largët në kohë.

Pak ditë më parë, një e përditshme shqiptare kishte shkrepur një foto ku Dako ishte në shoqërinë e ish-deputetit Aqif Rakipi, që e humbi mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Ajo që i bashkonte dikur ishte fakti se në fushatë ishin makineri votash, njëri në Durrës e tjetri në Elbasan. Ajo që i bashkon tani është mbijetesa, pas braktisjes së atyre që të kanë përdorur dikur.

Nëse në Shkodër, Rama po përballet edhe më të tijët pasi ka vënë në krah të djathtë Tom Doshin (që njësoj si Dako është futur në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit), në Durrës, kryeministri me njerëzit e tij po bën gjithçka për të dobësuar Vangjush Dakon.

Fakt interesant është që dhe opozita në Durrës ka rënë në gjumë letargjik, pasi më mirë sesa po e bën Rama punën për të shkatërruar degën lokale të PS-së, nuk do arrinin ta bënin ata vetë. Opozitarët po shijojnë konfliktet, tensionet dhe përplasjet në të gjitha nivelet mes bashkisë dhe PS-së dhe po presin (siç fatkeqësisht presin prej 19 vitesh) që një ditë të bukur të mund të marrin pushtetin në Durrës…

Gjithsesi, nga këto përplasje të politikës durrsakët nuk kanë për të fituar asgjë. Rrugët do të vazhdojnë të përmbyten sa herë ka reshje, drejtuesit e mjeteve do të vazhdojnë të vijnë vërdallë rrugëve për të gjetur një vend parkimi, qytetarët do të shohin sesi taksat e tyre shpërdorohen për të shtruar për të disatën herë të njëjtën rrugë dhe do përballen çdo ditë me betonizimin e qytetit, ndërsa në pllakat e sheshit kryesor dikush mund të "thyejë qafën" etj, etj.

“I përmbytur” apo jo Dako në të ardhmen, një gjë është e sigurt: Qyteti ynë do të vazhdojë të notojë sërish në ujë, sa herë të ketë reshje të dendura shiu!

M.B.