Nga Jeta Dedja

Gëte dikur ka shkruar se “Nuk ka asgjë më të keqe se injoranca aktive”. M'u kujtua këto ditë nga statuset e frymëzuara prej fjalimit të një gruaje që dikush besoi tek ajo se mund të ishte një ditë deputete, qoftë edhe sa për të mbushur listat.

Gjithsesi ky besim e çoi atë në foltoren që ka parë e dëgjuar varietete injorance këto vitet e fundit. A ishte ky besim i partisë, i komunitetit apo i kryetarit kjo mbetet për t’u sqaruar, siç mbeten për t’u saktësuar në të ardhmen edhe kriteret përzgjedhëse të këtyre njerëzve.

Ndjeva keqardhje për zonjën e cila është keqdrejtuar në një karrierë të papërshtatshme për të, por mendësia shqiptare “Ça ka ajo tjetra më shumë se unë”, ose “kur u bë dhe filani deputet me diplomë false mos bëhem unë”, e bëri deputeten e Tiranës gazin e botës dhe në të njëjtën kohë fenomenin që futi në rrënjë katrore Rudinën apo Gramoz Ruçin e lashtë kur thotë fjalën “Prekuroria”. Këtyre figurave u erdhi rasti të shpallnin botërisht injorancën e tyre. Ua dhanë kryetarët e partive, disave edhe ngjashmëritë me kërmillin, se ndryshe do kishin humbur kot si talente të oratorisë. Seriozisht tani, në atë sallë ku shumica vuan prej varfërisë intelektuale, kolegët socialistë e demokratë nuk befasohen kur dëgjojnë njëri-tjetrin “të kuvendojnë”, përkundrazi “asinum asinus fricat”.

Por, halli është që Shqipëria ka ngecur në duart e këtyre që përveç injorancës kanë me tepri edhe budallallëkun, ndërsa ca më të përparuar në qeverisje kanë arrogancën e të korruptuarit ose maskën e deleve të urta.

Hall edhe më i madh është që atdheu ynë po çmontohet dita-ditës jo nga forcat e errëta siç shkruanin me përulësi ministret socialiste në letrën drejtuar deputetëve hollandezë, por nga forcat e dukshme e të pandalshme të një qeverie që mbahet në këmbë prej injorancës, babëzisë arrogante dhe krimit. Ky kombinim është forca që nuk e lë vendin të bëjë përpara. Nuk është Makroni as Hollanda. Është qeveria e korruptuar dhe e s’fazuar në udhëheqje dhe parlamenti më komik, absurd, injorant e idiotesk që ka parë ndonjëherë historia.

Prandaj, nuk u bë hataja që deputetja e sforcuar u ngatërrua me fjalët e shkruara e të thëna dhe na tregoi me aq sa mundi nivelin e saj. Fatkeqësi është që një popull me potenciale inteligjence të paguajë e të mbajë në tregun politik e mediatik njerëz që do t’i bënin nder vetes dhe kombit të ndryshonin zanat e të hiqnin dorë.

“Të ndërgjegjësohesh se je injorant, është hapi i parë drejt dijes” ka thënë Benjamin Disraeli, prandaj Majlinda të mos fajësojë sytë, ndoshta të vetmit që nuk kanë faj në këtë mes, por të pranojë kufizimet e njohurive të saj.

Në fakt në gjithë këtë situatë ajo është veç një karrem që rasti e hodhi të peshkojë e të mbajë me gajret gjindjen se ajo është e keqja më e madhe e politikës së ditës.

Ndërkohë nga ana tjetër kryeministri, i cili po bën historinë e injorancës politike, si një peshkatar i lodhur e plakur buzë Bashkimit Europian, hedh grepa huq e ngec krenarisht në tegelat e poturevarura.

Por fajin e ka BE që është rrëmujë për vete nënkupton Ministri i Jashtëm në detyrë, jo Shqipëria, se qeveria ka punuar shkëlqyeshëm por fajin e kanë vendet e BE që s’merren vesh me njëri-tjetrin – është ky mesazhi që duan të injektojnë në publik aq sa të kalojë 3-ditëshi i famshëm i çudisë.

Por nisur nga historia e Majlindës që vazhdoi edhe pas tre ditëve, ndoshta ka shpresë se opinioni publik do ketë ndjeshmëri më të lartë në çështjet më serioze. Më e pakta, rrjetet duhet të vlojnë nga kërkesat për dorëheqje të këtij kryeministri që është shkaku i çdo vonese, regresi e dështimi që po pëson vendi dhe i çdo rrënimi, largimi a bllokimi që po pësojnë qytetarët. E më tej sheshet e rrugët të mbushen me maratonistë që vrapojnë për të kapur ritmin e Evropës duke rrëzuar nga pushteti njerëzit që u ka kaluar mosha mendore e shpirtërore e pensionit e duke luftuar për të ndryshuar sistemin zgjedhor që pjell injorantët dhe marionetat e kryetarëve.

Plus këtyre ka dhe një variant të fundit ose të parë, që është largimi me vullnet të lirë. Heqja dorë nga pushteti në disa raste ka qenë tregues i ndjenjës së dashurisë dhe kujdesit për atdheun. Le ta shohim sa e do Shqipërinë kryeministri aktual, Tiranën e pamë sesa e deshi. /FlasShqip.ca