Shtyhet seanca gjyqësore për Arbër Çekajn, të akuzuarin kryesor për trafikun e 613 kg kokainë nga Kolumbia në Shqipëri.
Shkak për moszhvillimin e seancës gjyqësore është mosarritja e letërporosisë për njoftimin e 39-vjeçarit, i cili po mbahet në burg në Dyseldorf (Gjermani). Nisur nga kjo situatë, trupi gjykues vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më 30 shtator.
Çekaj po qëndron në burg në Gjermani, pasi u arrestua nga policia për pritjen e 613 kg kokainë në Portin e Durrësit. Droga ishte fshehur në kontejnerë. Çekaj përdorte emrin e kompanisë së tij të importit të frutave për të fshehur transportin e drogës.
Ai u arratis nga Shqipëria duke ndërruar mbiemrin nga Arbër Çekaj në Arbër Jansen. Në shkurt të 2018-s ai u kap në flagrancë nga policia gjermane në një banesë dykatëshe. 3 javë më parë, autoritetet gjermane pranuan kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e 39-vjeçarit, ndërsa avokatët kanë apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Dyseldorfit.





